Mjekët, krijohet regjistri kombëtar i regjistrimit
Krijohet regjistri kombëtar i regjistrimit të profesionistëve të shëndetësisë, i cili është instaluar në mënyrë elektronike në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QEKV). Ky regjistër është hapur në kuadër të programit të ricertifikimit të profesionistëve të shëndetësisë, qëllimi i të cilit është të sigurojë, së pari, regjistrimin e të gjithë profesionistëve të shëndetësisë që duhet të përfshihen në programin e ricertifikimit dhe, së dyti, regjistrimin e përmbushjes së detyrimeve të tyre ndaj programit. Ky regjistër do të jetë i domosdoshëm jo vetëm për një zbatim të mirë dhe efektiv të programit të ricertifikimit, por do të ketë vlera praktike në sigurimin dhe përdorimin e të dhënave statistikore mbi aspekte të ndryshme në lidhje me burimet njerëzore në sistemin shëndetësor. Të gjithë profesionistët e përfshirë në programin e ricertifikimit do të kenë një dosje individuale, në të cilën do të dokumentohet pjesëmarrja e tyre në aktivitete të edukimit në vazhdim, si dhe do të regjistrohen kreditet e përfituara prej tyre. Regjistri do të administrohet nga QKEV për nevojat e procesit të ricertifikimit, por do të shërbejë edhe si një database i Ministrisë së Shëndetësisë për të gjithë punonjësit e shëndetësisë. Përdorues të këtij regjistri do të jenë jo vetëm Ministria e Shëndetësisë dhe QKEV, por dhe urdhrat e profesionistëve, vetë profesionistët si dhe publiku.