E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët në protestë: Duam mbrojtje me ligj

• Ashtu siç ishte paralajmëruar, mjekët kanë bojkotuar dje për 60 minuta të gjithë aktivitetin e spitalit "Nënë Tereza".

zirina llambro

Të njëjtën gjë në mbështetje të kolegëve të tyre kanë bërë edhe mjekët e Spitalit Ushtarak. Ata u grumbulluan përpara urgjencës kirurgjikale dhe parashtruan të gjitha kërkesat e tyre për reformimin e sistemit shëndetësor. Por pavarësisht se protesta ishte vetëm 1 orë, në disa prej klinikave kirurgjikale nuk është bërë asnjë operacion i planifikuar deri në mesditë. Këtë konfirmuan burime brenda QSU. Situata pritet t'i rikthehet sot normalitetit. Bluzat e bardha pohuan se, do t'i lënë kohën e mjaftueshme Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave të tjera për marrjen e masave konkrete. Në të kundërt operacionet dhe vizitat mjekësore do të bllokohen pa afat. "Jemi mbledhur për të protestuar kundër dhunës ndaj bluzave të bardha. Para pak ditësh ndodhi akti kriminal ndaj kolegut tonë, Ali Reftallari. Ky akt tregoi sesa të pasigurta janë bluzat e bardha në gjithë vendin", thuhej në deklaratën e përbashkët të mjekëve të lexuar para mediave. Sipas tyre, bluzat e bardha, edhe pse punojnë me heroizëm në krye të detyrës, janë më të përbalturit në gjithë shoqërinë, të dhunuara edhe nga shtetit. "Themi nga shteti, sepse nuk po shohim asnjë reformë dhe asnjë ndryshim. Sistemi është kalbur dhe i pafinancuar prej qeverisë. Protestojmë për mungesën e barnave, mjeteve, fondeve, të cilat duhen përballuar me vështirësi nga ne, ndërkohë që shteti hesht", theksuan mjekët. Sipas tyre, një përgjegjësi të madhe në këtë situatë ka edhe politika. Për interesa personale, shëndetësia po përdoret si mall dhe mjekët si gurë shahu që mund t'i lëvizin e dhunojnë si të duan. Rritja e sigurisë, mbrojtja e bluzave të bardha, dhënia e një statusi të veçantë për mjekët, financimi i plotë i sistemit shëndetësor dhe dyfishimi i pagave, ishin kërkesat që ata parashtruan. Nga ana tjetër, bluzat e bardha kërkuan t'i jepet  fund fushatës politike kundër mjekëve, që cilësohen shpesh në emër të politikës si të korruptuar. Pas tubimit në oborrin e spitalit, dy konferenca të njëpasnjëshme për shtyp u mbajtën në mbështetje të protestës së mjekëve. E para e organizuar nga kirurgët më të vjetër të QSUT-së, Mentor Petrela, Nikollaq Kaçani, Mustafa Xhani, Hysen Heta. Ata bënë me dije se po hartojnë një strategji për mjekët, e cila do të bëhet publike shumë shpejt. Në të do të përfshihen të gjitha prioritetet e mjekëve e profesorëve dhe kushtet për mbrojtjen e tyre, të cilat do të plotësohen nga strukturat politikëbërëse. Sa i përket pacientëve, sipas profesorëve të vjetër, duhet të kontrollojnë emocionet, pasi në asnjë rast nuk janë privuar nga asistenca mjekësore. Kjo, pasi shëndetësia nuk është matematikë dhe në të ka edhe komplikacione. Konferenca e dytë u mbajt në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë. "Siç janë bërë reforma në farmaceutikë, stomatologji, ashtu duhet të bëhen edhe në spital. Por të tilla reforma mund të bëhen nga ata që e njohin thellësisht sistemin shëndetësor. Nga ana tjetër, reformën që duhet të ishte bërë shumë vite më parë, mund ta bëjë vetëm ai që "familje" ka QSUT-në", u shpreh dekani i këtij fakulteti, Alfred Priftanji.

Kërkesat e mjekëve

    Rritje të sigurisë në punë
    Mbrojtje me ligj të bluzave të bardha
    Dhënia e një statusi të veçantë
    Financim të  plotë të sistemit shëndetësor
    Dyfishimi të  pagave
    T'i jepet fund fushatës politike kundër mjekëve
    Plotësimi i nevojave për ilaçe e pajisje në spital

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›