E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pullat e reja fiskale debat per firmen koncesionare

Pulla të reja fiskale, me disa elementë sigurie dhe të të dhënash mbi produktin do të përdoren në Shqipëri. Komisioni Parlamentar i ekonomisë dhe Financave ka miratuar marrëveshjen koncesionare që fuqizon një marrëveshje 10 vjeçare për prodhimin e pullave. Kjo marrëveshje mundëson dhe prodhimin e pullave të kontrollit të barnave.

"Me porosim të pullave fiskale duhet të qartësohet emri i prodhuesit, origjina, vendi i prodhimit, data e skadencës, elementët e nevojshëm për kontrollin e atij produkti. Në momentin që do të hyjë në Shqipëri të gjithë inspektorët të kenë një skaner që në kohë reale do të thotë që kjo pullë është e prodhuar në filan vend, e importuar në filan vend duke bërë direkt chekimin e të dhënave me data bazën e koncesionarit. Në këtë mënyrë të sigurohemi që kemi jo vetëm cilësinë e produkteve që aktualisht janë objekt i akcizës, por dhe të barnave, që përbën një risi të këtij koncesioni", thotë Ariana Dyrmishi, drejtoreshë e Politikave Fiskale, ministria e Financave.

Marrëveshja parashikon vlerë fillestare investimi prej 10 milionë euro. Pulla fiskale do të ketë dhe për birrën.  "Për herë të parë do vendosen pulla fiskale dhe për prodhuesit e birrës. Dhe këto pulla do të vendosen qoftë në formën letër, sic është aktualisht për importuesit e birrës, ne do të vendosim dhe për prodhuesit e brendshëm", thotë Dyrmishi.

Debate në komisionin e Ekonomisë pati për procedurat e përzgjedhjes së kompanisë koncesionare. Deputetët Socialistë kërkuan dokumentacionin e përzgjedhjes së këtij fituesi. Po kështu u kërkua informacion shtesë për efekten në buxhetin e shtetit. Këto të dhëna pritet të jepen para se marrëveshja koncesionare të kalojë për votim në seancë plenare.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›