E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeksia Ligjore: Çifti i helmuar, dëmtime akute në organizëm

Sipas drejtorit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj dëmtimi i organizmit tregon se helmimi është bërë nga lëndë të forta kimike
TIRANË- Organizmi i dy personave që vdiqën pasi drekuan në një nga lokalet e Durrësit është tepër i dëmtuar. Kjo do të thotë se produktet që ata kanë konsumuar kanë patur lëndë të forta kimike, çka kanë sjellë edhe vdekje të menjëhershme. Kështu pohon për "Shekullin" drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj. Ndonëse nuk kanë ende rezultatet përfundimtare të ekspertizës, dëmtimi i rëndë i organizmit tregon se helmimi ka qënë akut dhe vetëm lëndë të forta kimike mund ta shkaktojnë këtë lloj helmimi. Kështu, Mjeksia Ligjore mbështet tezën e Institutit të Shëndetit Publik sipas të cilit në produktet e konsumuara janë hedhur lëndë të forta kimike.
Ekspertiza
Vdekja e menjëheshme dhe dëmtimi i organizmit të Tomorr Rrumbullakut dhe Djana Xibrakutka nxitur specialistët e Mjekësisë Ligjore të pohojnë se 2 viktimat kanë konsumuar produkte të helmuara. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Ymaj, në këto produkte ndodheshin lëndë të forta kimike të cilat nuk mund të kenë qenë aty në mënyrë të rastësishme. "Helmimi është akut. Kjo do të thotë se mbi organizëm ka vepruar helmim me lëndë të forta, pasi kjo ka sjellë edhe dëmtim të rëndë të organizmit",- pohon Ymaj duke shtuar se këtë konkluzion e mbështet në ekspertizën që është bërë mbi 2 kufomat. Sipas tij edhe vdekja e menjëhershme që është shkaktuar tek 2 viktimat tregon qartë se kemi të bëjmë me një rast tipik helmimi nga lëndë të forta kimike. "Dëmtimi i organizmit dhe vdekja e menjëhershme pas ekspertizës na jep të drejtë të mendojmë se kemi të bëjmë me helmim që mund të jetë shkaktuar për qëllime të caktuara, por që me këtë çështje duhet të merren struktura të tjera hetimore",- pohon Ymaj. Madje ai hodhi poshtë një nga tezat se në verë ka patur masë të lartë të alkoolit metilik, që përdoret nga prodhues të jashtëligjshëm të pijeve alkoolike. Sipas tij, prodhime të tilla nuk mund të shkaktojnë një vdekje në të tilla rrethana dhe aq më tepër dëmtime të rënda të organizmit brenda pak minutash. Kështu, edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndonëse ende nuk ka rezultatet përfundimtare të mostrave të produketeve ushqimore, por mbështetur në ekspertizën e kufomave pohon tezën e Institutit të Shëndetit Publik sipas të cilit lëndë të forta kimike janë hedhur në produktet e konsumuara.
ISHP
Ylli: Helmimi, jo në mënyrë të rastësishme
Përgjigjet e mostrave të produkteve ushqimore që sollën vdekjen e dy personave në Durrës do të dalin pas disa ditësh, por është e kotë të shpresohet se nga këto përgjigje do të dalë ndonjë konkluzion se në to nuk ka patur lëndë të forta kimike. Lëndë të cilat nuk mund të ndodhen në mënyrë të rastësishme në produktet që janë konsumuar, veçanërisht në verë. Kështu u shpreh drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli i cili pohon se studimi paraprak epidemiologjik dërgon në përfundimin se mbi produktet është hedhur lëndë e fortë kimike që mund të jetë bërë për qëllime të caktuara. "Është e kotë të mendohet se helmimi ka qenë intoksikativ, por ky rast është tipik i helmimeve nga lëndë të forta të cilat nuk mund të ndodhen rastësisht në produktet ushqimore",- thekson Ylli duke shtuar se këtë çështje duhet ta zbardhin organet hetimore përkatëse.
Ekspertët e Mjekësisë Ligjore u kanë premtuar hetuesve se sot në mbrëmje do t'iu japin përgjigje
Helmimi i dyfishtë, sot zgjidhet misteri
TIRANË- Misteri i vdekjes së Djana Xibrakut dhe Tomorr Rrumbullakut pritet të ketë një përgjigje mbrëmjen e sotme. Të paktën, ky është premtimi që Mjekësia Ligjore u ka bërë hetuesve të çështjes, të cilët presin përgjigjen e analizave për të vijuar hetimet. Për të analizuar këtë ngjarje të rëndë, mbrëmë janë mbledhur së bashku drejtuesit e policisë së Tiranës dhe asaj të Kavajës, por asgjë nuk mund të thuhet me saktësi, pa ditur shkaktarin e vdekjes. Edhe gjatë ditës së djeshme ka mbizotëruar pista e një vetëhelmimi, për shkak të sjelljeve të dyshimta të 54-vjeçarit, por edhe prej lëndës së fortë toksike që ka shkaktuar vdekjen e tyre. Megjithatë, motivi mbetet ende i paqartë për hetuesit apo edhe familjarët e viktimave. Zyrtarë të policisë së Kavajës pohuan se në koshin e plehrave kanë gjetur dhe sekuestruar shishen e verës,brenda së cilës kishte ngelur vetëm një gisht verë. Ndërsa misteri pritet të zgjidhet vetëm pasi ekspertët të thonë shkencërisht se nga janë helmuar Rrumbullaku dhe Xibraku. "Nuk përjashtohet as helmimi aksidental, edhe pse simptomat kanë qenë të shpejta dhe fatale për të dy viktimat",-shtojnë hetuesit e çështjes. Zbardhja e kësaj ngjarjeje është komplikuar edhe nga lidhja e fshehtë që kishin prej kohësh dy viktimat me njëra-tjetrën, ndërsa dëshmitë e familjarëve të tyre duket se nuk e kanë ndihmuar policinë të zbardhë arsyet që çuan në vdekjen e çiftit. Tomorr Rrumbullaku dhe Djana Xibraku kanë drekuar në një restorant peshku në Golem të Durrësit, por ajo që pritej të ishte një mesditë e këndshme fundjave u kthye në fatalitet. Brenda pak minutash, ata kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit, duke lënë pas një sërë pikëpyetjesh dhe dyshimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›