E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mjerë Shqipëria po ra në dorën tënde”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Sali Berisha përuroi investime me vlerë rreth 850 milionë lekë në Bashkinë e Kamzës, ndërkohë që informoi banorët se edhe rreth 1 miliard e gjysmë lekë të tjera janë në investime e sipër. Në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", Berisha përuroi një seri veprash infrastrukturore në Bashkinë e Kamzës, si dhe zhvilloi një takim me banorët e Bathores, në Bashkinë e Kamzës. "Vetëm investimet në inaugurimet e sotme në Bashkinë e Kamzës arrijnë në vlerën 850 milionë lekë. Inauguruam rrugë, fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në Laknas, ujësjellësin dhe ju garantoj se Qeveria ime do të bëjë çdo investim për të shndërruar Bathoren në një prej lagjeve më moderne të Tiranës", - tha Kryeministri. Berisha vlerësoi si një përurim shumë të rëndësishëm edhe investimin prej 5 milionë dollarësh të rrjetit elektrik, nga ku e gjithë zona do të marrë furnizim me 20 kvv. Sipas Kreut të Qeverisë, "të gjitha këto investime nuk bëhen sepse Shqipëria në 3 vjet është bërë 5 herë më e zhvilluar, por sepse të ardhurat janë rritur me 5 herë se ato nuk përfundojnë më në xhepat e zyrtarëve të korruptuar". Duke e konsideruar Shqipërinë vend shprese, Kryeministri u shpreh se "është marrë ftesa për anëtarësim në NATO dhe vendi është ngjitur në çatinë e botës për reformat". "Më shumë se për çdo gjë tjetër, ky vend ka nevojë për reforma, sepse janë këto reforma që bënë të mundur ndërtimin e rrugëve, shkollave, ujësjellësve, si dhe rritjen e rrogave dhe pensioneve", - tha ai. "Në tre vjet, Qeveria ime, ndonëse bëri uljet më të mëdha të taksave në Evropë, ia doli të sjellë 3.2 milionë dollarë më shumë, sesa qeveria e mëparshme. Sot janë 3.2 milionë dollarë që nuk përfundojnë më në xhepat e pushtetarëve, kontrabandistëve dhe evazorëve, por shndërrohen në rrugë, shkolla, ujësjellës, në paga dhe pensione për qytetarët e Bathores dhe mbarë Shqipërisë". Kryeministri ka përuruar përfundimin e fazës së parë të rrugës në Laknas, fillimin e ndërtimit të shkollës së re në këtë zonë, dhe përfundimin e rrugës në Bathore, shefi i qeverisë mbajti një fjalim përpara të pranishmëve ku ka lëshuar një lumë kritikash për kundërshtarin e tij politik, kryebashkiakun Edi Rama. “Prej 1 viti e gjysmë, kreu i PS-së ka ndërmarrë fushatën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve". "Kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës ka hyrë në ethe të thella dhe përçartet çdo ditë. Zoti kryetar, nuk ka ilaçe, nuk ka sulfate që të ulin temperaturën tende të madhe. Ti je i pashpresë. Ndaj bëhu burrë dhe priti me durim zgjedhjet, që të marrësh verdiktin e qytetarëve shqiptarë, të cilët ti, zoti Rama, me trillimet dhe mashtrimet që fabrikon çdo ditë i konsideron qenie për t u gënjyer dhe për t u mashtruar. Mjerë Shqipëria, po ra në duart e tij". Por, sipas tij "shqiptarët kanë sot sensin e lirisë dhe mençurinë për të dalluar qartë se kush mban premtimin dhe thotë të vërtetën dhe kush përpiqet t u mbushë mendjen me shpifje, trillime dhe mashtrime". "Kryetari i Bashkisë doli në konferencë dhe tha se qeveria po përvetëson projektin për venddepozitimin e mbetjeve urbane të Sharrës. Me lejoni t ju them se Qeveria ka angazhuar, jo në projektin e Sharrës prej 800 milionë lekësh, por për Tiranën rreth 160 milionë dollarë", - tha Kreu i Qeverisë. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "Qeveria ka përgatitur investimet e kanalizimeve me rreth 120 milionë dollarë dhe investime për unazën e re të Tiranës me rreth 50 milionë dollarë". "Qeveria ka akorduar për shkollat e Tiranës së paku 2.5 miliardë lekë, për ujësjellës-kanalizimet 1 miliard lekë dhe do të akordojë sërish. Sapo inauguruam në Laknas, një shkollë, ndërkohë që kryetarit me korrespodencë të Bashkisë së Tiranës i kemi dhënë 2.2 miliardë lekë për të ndërtuar 7 shkolla të reja dhe për të rikonstruktuar 12 të tjera, por ka ndërtuar vetëm dy shkolla të reja dhe një prej tyre në Yzberish dhe jo në Tiranë". Sipas tij, "kjo ndodh sepse nuk gjenden troje për shkollat, por sepse shkollat nuk janë pallate ku ai mund të kërkojë të marrë 15 për qind, siç marrin rëndom për pallatet". Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "në disa aspekte fushatën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve, Edi Ramës do t ia kishte lakmi edhe ati i tij shpirtëror, diktatori i shqiptarëve, Enver Hoxha. Ai flet për Qeverinë, njëlloj si Hoxha për imperializmin. Ai flet për Sali Berishën njëlloj si Hoxha për udhëheqësit e vendeve të lira. Ai flet për sistemin që ndërtojmë, njëlloj siç flisnin udhëheqësit komunistë për kapitalizmin", - tha Kryeministri.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›