E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ “shkarkon” Barkën

Autori i Lajmit: red.
Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut i ka propozuar Kryeministrit që të shkarkojë ministrin e Punës, Kosta Barka. Kryesia e Partisë votoi unanimisht kërkesën për shkarkimin e Barkës nga posti i ministrit. "Barka nuk përfaqëson më interesat e PBDNJ-së në Qeveri. Kryesia e votoi unanimisht kërkesën për shkarkimin e Kosta Barkes", - u shpreh deputeti Spiro Peçi. Burimet brenda partisë pohojnë se vendimi është marrë gjatë analizës që ka bërë kryesia e kësaj partie pak ditë më parë, ku vendimi i pjesës më të madhe të pjesëmarrësve ka qenë se ministri Kosta Barka ka patur defiçenca serioze në kryerjen e punës së tij duke dhënë rezultate mjaft të dobëta dhe, për më tepër, sipas burimeve brenda PBDNJ, ai nuk ka bërë në asnjë moment politikën e përcaktuar nga kjo parti. Kanë qenë këto arsyet për të cilat drejtuesit e PBDNJ-së kanë vendosur që të kërkojnë që ministri Barka të mos jetë më përfaqësuesi i tyre në Qeveri. Krisja mes nënkryetarit të PBDNJ-së dhe kreut Vangjel Dule që duket se ka nisur prej kohësh ka shpërthyer pikërisht pak ditë më parë, pasi Kosta Barka ka shkarkuar sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë që ai drejton, Andrea Marton, që është edhe kryetar i OMONIA-s së Tiranës. Ndërkohë ministri Kosta Barka ka deklaruar, në një dalje publike, se nuk ka pasur asnjë mbledhje kryesie dhe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e artikuluara, të cilat i quajti tendencioze dhe që kanë si prapavijë interesa personale të ndonjë drejtuesi të caktuar në radhët e PBDNJ. Sipas Barkës, shkarkimi i zotit Marto është bërë konform ligjit dhe me frymë të lartë përgjegjësie nga ana e tij. Ministri Barka theksoi se rezultatet e arritura prej tij në drejtim të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta kanë qenë të larta dhe lehtësisht të verifikueshme. Ai hodhi poshtë të ketë pasur përplasje me kreun e partisë, Vangjel Dule, dhe nënvizoi faktin se shtysë për këtë vendim kundër tij janë bërë elementë të tjerë në PBDNJ.

Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›