Vranë 23-vjeçarin, burg pa afat për dy vëllezërit
Korçë Vrasja e të riut në Korçë, gjykata vendos masën e sigurisë me burg për dy vëllezërit autorë. Gjatë mesditës së të enjtes, Gjykata e Korçës ka vendosur masat respektive të sigurisë për vëllezërit Elton dhe Altin Beluli, banorë të qytetit të Korçës, të cilët akuzohen se vranë me thikë pas një sherri 23-vjeçarin Dorjan Kocaqi. Seancat janë kryer të veçuara nga njëra-tjera për të dy të pandehurit, që njëherësh kanë mbetur të dëmtuar nga kjo ngjarje dhe kanë marrë mjekime në spital. Gjyqtari i çështjes, Besnik Shehu ka kërkuar “burg pa afat” për të dy të pandehurit për krimin e vrasjes, për t’i lënë kohë organit të akuzës të vijojë me procesin e hetimit dhe pyetjen e okularëve në këtë krim që tronditi qytetin juglindor. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë, në orët e mbrëmjes, në lagjen 17 të qytetit të Korçës, në vendin e quajtur “Trekëndëshi”. Një grindje mes dy grupesh të rinjsh për një kasetofon të vjedhur ka futur në debate të ashpra këta të fundit me njëri-tjetrin. Të rinjtë kanë përdorur mjete të mprehta, thika që i posedonin për të goditur njëri-tjetrin. Nga kjo përplasje ka mbetur i vdekur në vend Dorjan Kocaqi, banor i qytetit të Korçës, ndërsa janë plagosur dy të pandehurit e lartpërmendur, të cilët pas mjekimeve në spitalin rajonal të Korçës e kanë lënë atë për të shkuar në qeli. Dy të pandehurit do të përballen me akuzën e “vrasjes”, ndërkohë që mësohet se mes të rinjve të përfshirë në këtë sherr që është shoqëruar me një viktimë, ka pasur dhe debate të mëparshme që kanë lindur në një disko të qytetit të Korçës, përplasje në të cilën ka mbetur i plagosur edhe një punonjës policie. Irena Vreto