E Shtunë, 31 Tetor 2026

Model i ri për decentralizimin e Mitrovicës

Prishtinë – Përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Lokal pritet të hartojnë një model të ri për decentralizmin e Komunës së Mitrovicës, por thonë se zbatimi i çfarëdo plani mund të ndodhë vetëm me pjesëmarrjen e serbëve të veriut të këtij qyteti. Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, është duke formuar ekipet përgatitore që do të merren me disenjimin e modeleve për decentralizmin e komunave. Sipas Ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, modeli i decentralizmit të Mitrovicës do të dallojë nga plani që ishte paraparë me pakon e presidentit Ahtisaari. Ferati theksoi se ministria që ai udhëheq, brenda dy javësh do të dalë me një model të ri për decentralizimin e Mitrovicës. "Tani ajo është pjesë e pakos dhe pikërisht tani është prioritet i punëve tona dhe jemi duke diskutuar se si do ta krijojmë modelin tonë rreth Mitrovicës. Unë po shpresoj se brenda dy javëve të ardhshme ne do të dalim në opinion me komplet konceptin tonë se si do të ecet më tutje me Mitrovicën", tha Ferati për REL. Ministri Ferati konsideron se për të implementuar çfarëdolloj plani për decentralizmin e Mitrovicës, do të jetë e nevojshme pjesëmarrja e serbëve kosovarë. Por sipas tij, planet për decentralizimin e komunave në Kosovë, përfshirë dhe Mitrovicën, nuk mund të zbatohen para zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat janë parashikuar të mbahen në vjeshtën e këtij viti. "Pa një bashkëpunim të qytetarëve dhe liderëve të atij komuniteti, (serb) nuk do të jetë e mundshme. Nëse mungon vullneti dhe ata nuk dëshirojnë të dalin në zgjedhje dhe me të formojnë komunën e re kuptohet se ajo nuk mund të ndodhë", u shpreh ministri Ferati.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›