E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mohoi të drejtën për rinumërim të votave”

04/08/2009  Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi akuzon Kolegjin Zgjedhor për shkelje të Kodit.

Subashi sqaron votën “pro” ndarjes së mandateve për deputetë në të gjitha qarqet

Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Dëshira Subashi ka akuzuar Kolegjin Zgjedhor për shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor, pasi përmes vendimmarrjes së tij ka mohuar të drejtën e rinumërimit të disa qendrave të votimit. Ajo akuzon Kolegjin se ka shkelur ligjin zgjedhor, duke vënë në pikëpyetje rolin e vërtetë të tij: atë të gjetjes të së drejtës në raste anikimimesh. Për numrin dy të KQZ-së ligji jep të drejtën për rinumërim të votave kur janë vërejtur parregullsi. Sipas saj, Kolegji Zgjedhor nuk veproi në përputhje me ligjin zgjedhor, çka përbën një shkelje flagrante nga ana e këtij institucioni të rëndësishëm. Për Subashin mohimi i rinumërimit të votave përbën një precedent me rrezik për procesin zgjedhor në Shqipëri. “Gjykata nuk e bëri, dhe kjo për mua përbën një shkelje të hapur të ligjit. Natyrisht, unë nuk komentoj vendimin e gjykatës, por komentoj të drejtën time, se është shkelur hapur ligji në të drejtën që unë kisha për të kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e disa votave, e disa qendrave votimi për të cilat unë kisha një objeksion. Objeksioni im ishte që të arrinim një standard që zgjedhjet të mos kontestoheshin. Në vetvete kjo dispozitë nuk ndryshon rezultatin zgjedhor, por është një hapësirë për të hetuar”, - ka deklaruar Subashi në një intervistë televizive. Nënkryetarja e KQZ-së ka sqaruar edhe votimin 7 me 0 mbi vendimin për shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Ajo hedh poshtë çdo pretendim, sipas të cilit një lëvizje e tillë nuk ishte e duhura nga ana e anëtarëve të Komisionit të propozuar dhe të mbështetur nga opozita e majtë. “Në mbylljen e vendimmarrjes për këto ankime që kishin të bënin me rezultatin zgjedhor, vendime të cilat i ka shqyrtuar dhe Kolegji Zgjedhor, pothuajse konsiderohet, sipas Kodit Zgjedhor, çështje e mbyllur vlefshmëria, llogaritja e votave të marra nga çdo subjekt politik”, - deklaroi nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi. Ajo nënvizon se vendimmarrja e anëtarëve të KQZ-së për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve nuk mund t’i referohet bindjes. “Për shkak se unë kisha një kontest për tabelën e rezultateve, nuk do të thotë të mos votoj ndarjen e mandateve. Ligji e ndalon këtë sjellje, që do ishte një sjellje politike dhe do ta kthente këtë institucion në një vendimmarrje politike”, - tha ajo.

Nënkryetarja e KQZ-së, gjitahshtu ka evidentuar si jopozitiv edhe ndryshimet e shpeshta të Kodit Zgjedhor. Subashi vlerësoi se ndërhyrja në Kodin Zgjedhor menjëherë pas zgjedhjeve, është një modë jashtë të cilës politikanët nuk dalin asnjëherë. “Kjo tashmë është bërë në modën e politikës, që sapo shpallet rezultati përfundimtar nxitohet për të thënë që do ndryshojmë Kodin. Partitë politike kishin kohën e nevojshme të bënin analizat e funksionimit të zgjedhjeve. Me duket pak e nxituar, ndoshta emocionale, të diskutosh për ndryshime të Kodit ku nuk ka vetëm pak ditë kur kanë përfunduar këto zgjedhje”, ka deklaruar nënkrytarja e KQZ-së Dëshira Subashi.

Debatet në KQZ për Beratin

Ndarja e mandateve për deputetë në Qarkun e Beratit ka shkaktuar debate e përplasje të ashpra në KQZ mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Socialistët gjatë shqyrtimit të ankesës së tyre pretendonin se në Berat është vjedhur një mandat për deputet nga ana e mazhorancës. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga ana e përfaqësuesve demokratë në KQZ. Socialistët kërkuan nga KQZ-ja që të merrte një vendim, i cili të rivlerësonte fletët e votimit që ishin shpallur të pavlefshme në këtë qark. Por me anët të votimit 4 me 3 është hedhur poshtë kërkesat për rivlerësim të fletëve të votimit në Qarkun e Beratit. Përfaqësuesit e PS-së kanë shigjetuar ashpër përfaqësuesit e mazhorancës në KQZ pas rrëzimit të kërkesës së tyre për rivlerësimin e fletëve të pavlefshme. PS-ja theksoi se vendimi i KQZ-së për të mos lejuar transparencën mbi procesin zgjedhor të Beratit shkeli haptazi ligjin zgjedhor dhe dhunoi të drejtën për rivlerësimin e fletëve të pavlefshme e për numërimin e një sërë kutish të dyshuara në atë qark. Por nga ana e tyre përfaqësuesit demokratë kanë theksuar se kërkesat e socialistëve janë të pabaza, pasi vetë komisionerët e PS-së kanë firmosur në tabelat përmbledhëse të numërimit të votave.

Debatet në KQZ për Fierin

Mandatet për deputetë që dolën nga Qarku i Fierit ishin më të debatuara në zgjedhjet e përgjithshme politike të 28 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfshi në një debat të ashpër për sa i takon fatit të nëntë kutive të katër KZAZ-ve të Qarkut të Fierit, nga hapja e të cilave Partia Socialiste priste të fitonte edhe një mandat për deputet: të 9-in. Debatet e para konfirmojnë për miratim nga KQZ-ja të tabelave të rezultateve të firmosura nga komisionerët, ku nuk janë përfshirë rezultatet e disa kutive. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ theksuan se KQZ-ja duhet të marrë në shqyrtim kutitë e votimit. Për Fierin dy partitë e përplasën ashpër me deklarata e qëndrime të prera. Gjatë numërimit të votave koalicioni i djathtë arriti të merrte 7 mandate, ndërsa ai i majtë 8 dhe LSI 1. Me bllokimin e numërimit të votave në disa qendra KQZ-ja mori vendimin për që ato të rinumëroheshin në ambientet e saj në Tiranë. Pas përfundimit të rinumërimit PS-ja mori 9 mandate. Por debatet mes dy partive vazhduan në KQZ, pasi PD-ja kërkonte mandatin e shtatë. Pas shqyrtimeve KQZ-ja vendosi që mandati ishte i PS-së. PD-ja ankimoi procesin në Kolegjin Zgjedhor, i cili pas shqyrtimit rrëzoi ankimimet e PD-së duke lënë në fuqi në këtë mënyrë vendimin e KQZ-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›