E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu: Duhet të jeni më agresivë kundër korrupsionit

01/02/2005  Sollaku tha se, Prokuroria ka hetuar 15 mijë dosje penale gjatë vitit 2004

TIRANË –Në ceremoninë e inaugurimit të godinës dhe ambienteve të reja të punës në Prokurorinë e Tiranës, Presidenti Alfred Moisiu, u tha prokurorëve dhe hetuesve se duhet të bashkëpunojnë më shumë me Kontrollin e Lartë të Shtetit, në hetimin dhe luftën ndaj korrupsionit. Sipas kreut të shtetit, Prokuroria dhe KLSH-ja janë dy institucionet që japin një kontribut dhe kanë një rëndësi të veçantë në luftën kundër kriminalitetit dhe veprave penale të korrupsionit. Moisiu kërkoi nga punonjësit e Prokurorisë më shumë ashpërsi në zbatimin e ligjit dhe në ushtrimin e ndjekjes penale. “Ju jeni shtylla kryesore e luftës kundër korrupsionit dhe krimit, bashkë me KLSH-në. Duhet të rrisni bashkëpunimin për të ngushtuar hapësirën për ata që i duan të keqen këtij vendi, për ata që nuk duan të kuptojnë që ligji është ligj”, tha Moisiu.

Sollaku

Kryeprokurori Sollaku, gjatë fjalës së tij, u shpreh se pak muaj më parë në Prokurorinë e Tiranës, hetuesit nuk kanë patur kushtet minimale të punës si tavolina apo kompjuter. Sollaku kërkoi nga vartësit e tij më shumë punë dhe ashpërsi në luftën ndaj krimit në tatime dhe dogana. "Ju duhet të pengoni trajtimin e diferencuar të bizneseve nga doganat dhe tatimet. Natyrisht, ju nuk mund të bëni punonjësin e këtyre sektorëve, por mund të jepni kontributin tuaj", u shpreh Sollaku. Ai kërkoi nga vartësit e tij të jenë më kurajozë në ushtrimin e detyrës. Sollaku vuri në dukje presionet që ndeshin prokurorët në punën e tyre, ndërsa kërkoi që hetuesit, jo vetëm të mos përkulen përballë këtyre presioneve, por të hetojnë të gjithë shtetasit, ndaj të cilëve konstatohet se kanë kryer një vepër penale. Sollaku theksoi se gjatë vitit 2004, Prokuroritë e gjithë vendit kanë hetuar 15 mijë dosje, një pjesë e mirë e të cilave është kryer nga Prokuroria e Tiranës.

Përurimi

Në ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të Prokurorisë së kryeqytetit morën pjesë gjatë mesditës së djeshme, Presidenti Alfred Moisiu, ministrat e Rendit dhe Drejtësisë, Igli Toska dhe Fatmir Xhafaj, zv.ministri i Drejtësisë, Përparim Sanxhaku, ish-ministri i Drejtësisë, Spiro Peçi, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Bajram Ibraj, Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të arsimit të lartë juridik, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë dhe hetues të kryeqytetit. Godina e re në të cilën funksionon Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria e Apelit Ushtarak, ka filluar të ndërtohet vitin e shkuar. Ajo është një investim i Buxhetit të Shtetit, në shumën 210 milionë lekë të reja. Pasi kanë prerë shiritin e përurimit, Presidenti Moisiu, Kryeprokurori Sollaku dhe kreu i Prokurorisë së Tiranës, Vexhi Muçmata, me pjesëmarrësit në ceremoni kanë vizituar ambientet e reja të punës.

ANALIZA e Sollakut

15 mijë dosje të hetuara gjatë vitit 2004

800 dosje për vrasje dhe tentativë vrasjeje

360 dosje për trafikim të lëndëve narkotike

645 dosje për trafikim të qenieve njerëzore

374 dosje ndaj zyrtarëve të niveleve të ndryshme

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›