E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Mos e humbni besimin te mjekët

Qytetarët nuk duhet ta humbasin besimin te mjekët, ndërkohë që nuk duhet të influencohen nga ngjarjet e arrestimit të pesë mjekëve për ryshfet, duke i futur bluzat e bardha në një kallëp.

"Drejtuesit e spitalit universitar obstetrik-gjinekologjik ‘Koço Glozheni‘ dënojnë dhe distancohen nga fenomenet korruptive të individëve të veçantë, duke inkurajuar të gjithë personelin shëndetësor që punon me ndershmëri e devocion në shërbim të grave e fëmijëve shqiptarë", kjo ka qenë deklarata e djeshme e mjekëve të maternitetit të Tiranës.

Deklarata ka ardhur disa ditë pas akuzave për mitëmarrje të 5 mjekëve dhe infermierëve të këtij materniteti.

"Pa dyshim që në këtë volum të madh pune ka edhe defekte dhe mangësi, të cilat janë njohur prej nesh dhe vazhdimisht përpiqemi t‘i eliminojmë ato. Por asnjë ngjarje apo individ përgjegjës për veprimet e veta të gabuara nuk mund të nëpërkëmbë imazhin e mirë të institucionit të arritur në vite", deklaroi drejtoresha e spitalit, Rubena Moisiu, në një prononcim për shtyp.

Reagimi vjen, pasi siç tha edhe drejtoresha në spital, janë hasur ngjarje jo të pëlqyeshme mes pacientëve dhe mjekëve.

"Organet e drejtësisë janë të vetmet që kanë të drejtën të fajësojnë ose jo individë që kryejnë vepra penale, por kurdoherë përgjegjësitë janë individuale dhe jo kolektive", theksoi drejtoresha e spitalit universitar obstetrik-gjinekologjik "Koço Glozheni". Spitali universitar obstetrik-gjinekologjik "Koço Glozheni" është spital i nivelit terciar, që përballon nevojat jo vetëm për popullatën e Tiranës, por edhe për rastet e rënda nga i gjithë vendi. Këtu kryhen mbi 4 mijë lindje në vit, realizohen rreth 2500 operacione, shtrohen mbi 7500 pacientë dhe konsultohen mbi 11 mijë gra në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›