E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti amerikan: "Jo reduktimit të trupave"

Nuk do të ketë asnjë reduktim të trupave në Afganistan. Është ky verdikti i dalë nga takimi i Presidentit amerikan, Barak Obama, me liderët e kongresit, në kuadër të bisedimeve për të gjetur strategji të reja për të zgjidhur konfliktin 8-vjeçar. Ndërkaq, Presidenti ka mbledhur sërish ekipin e sigurisë kombëtare për të gjetur mënyrat më të përshtatshme që duhen adoptuar. Edhe nga takimi me senatorët dhe deputetët e të dyja partive u arrit në përfundimin se në asnjë rast kontingjenti nuk do të reduktohet. Burime afër administratës përjashtojnë hipotezën e një misioni tërësisht anti-terrorist dhe angazhimin e një tast-force në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit, një teori e ngritur nga zëvendëspresidenti Joe Biden. "Është një gabim i rëndë ta konsiderojmë Al Qaedën të ndarë nga talebanët", tha senatori John McCain, që së bashku me një pjesë të mirë të republikanëve ka kërkuar një rritje të trupave në Afganistan, ashtu si gjenerali
Stanley McChrystal. Sipas kreut të forcave të NATO-s në Afganistan, duhen edhe 40 mijë trupa të tjerë, përveç 68 mijë që gjenden aktualisht në këtë zonë. Nga ana tjetër, Obama duhet t‘i bëjë llogaritë edhe me një pjesë të demokratëve që janë kundër dërgimit të forcave të tjera dhe për këtë hipoteza më e mirë është ajo e një rritjeje më të vogël, nga 10 mijë deri në 20 mijë trupa. Ky është një nga vendimet më të vështira të Presidentit Obama. Në përvjetorin e tetë të "Enduring Freddon", statistikat tregojnë për 1445 të vdekur mes ushtarëve të vendeve të ndryshme
(mes të cilëve 870 amerikanë,) shifër të cilës i shtohen 11 mijë efektiva të policisë dhe ushtrisë afgane dhe një numër viktimash civile që kap shifrën 7600. Nga ana tjetër, talebanët vazhdojnë të kenë kontrollin e distrikteve të tëra dhe numri i ushtarëve amerikanë që humbin jetën po vazhdon të rritet ditë pas dite. Ndërkaq, në SHBA, ndërsa 65 për qind e personave të pyetur nga shoqëria e sondazheve "Quinnipiac" janë shprehur pro këtij misioni, vetëm 38 për qind mbështet një shtim të kontingjentit. Sipas një tjetër sondazhi të bërë nga "Associated Press", mbështetja për luftën ka rënë nga 44% në 40%. Shqetësuese është edhe vota e Parlamentit holandez në favor të një tërheqjeje të plotë të trupave në vitin 2010. Situata në Afganistan vazhdon të mbetet e rëndë. Dje, si pasojë e një shpërthimi në afërsi të ambasadës indiane, më shumë e 17 veta kanë humbur jetën, ndërsa 80 të tjerë janë plagosur. Mes të vdekurve ka pasur edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa është hera e dytë që një sulm i tillë me synim ambasadën indiane përsëritet brenda vitit. Makina e mbushur me eksploziv drejtohej nga një kamikaz dhe shpërtheu në një orë që rruga frekuentohej nga shumë njerëz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›