Xhafa: Arritje e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit
15/01/2005 Ministria e Drejtësisë me një raport prej shumë fletësh dhe para një auditori jo të paktë, ka shpalosur arritjet dhe mosarritjet e vitit 2004. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, në fjalën e tij ka bërë publike disa nga arritjet, por ka mundur të kritikojë dhe të japë disa shifra alarmante në drejtësi. Pika kyçe, e cila asnjëherë nuk do të shohë lëvizje apo pakësim, është korrupsioni. Në analizën e djeshme të Ministrisë së Drejtësisë foli edhe Kryeministri Fatos Nano. Edhe për Kryeministrin shqetësim ishin gjyqtarët e korruptuar, të cilët duhet të spastrohen pa mëshirë. Ndërkohë që, Nano i kujtoi Xhafës se, në vitin 2004 kishte dështuar në ekstradimin e Altin Arapit nga Belgjika. Por vetë Xhafa nga ana e tij, tha se gjatë vitit 2004 ka bërë punë të mirë në Përmbarim, duke spastruar radhët nga elementë të korruptuar. Në këtë kuadër, Xhafa përmendi faktin se 9 përmbarues kanë marrë masa disiplinore. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe disa noterë, të cilët kanë rezultuar me shkelje të ligjit në ushtrimin e detyrës. Nga 114 përmbarues në të gjithë vendin, 53 për vitin 2004 janë penalizuar. Po kështu u përmend edhe penalizimi i 195 punonjësve të sistemit të burgjeve, për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore në fuqi. Nga inspektimi në disa gjykata të vendit, janë gjetur me shkelje 9 gjyqtarë, për të cilët janë marrë masa disiplinore. Sipas Xhafës, Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit, gjatë vitit 2004, ka parë arritje në përgatitjen për miratimin e paketave legjislative. Pikat kryesore janë antitrafiku, antikorrupsioni, antiterrorizmi dhe antimafia. Një nga pikat kyçe ku mbetet akoma për t'u punuar, sipas ministrit, është edhe marrëdhënia me sistemin gjyqësor. Pra, Xhafa ka folur dje vetëm me fjalë të mëdha, por shifrat kanë qenë tepër të vogla. Më tepër, ai i ka dhënë rëndësi punës së tij si dhe bashkëpunimit me homologët. Një nga pikat e përmendura me forcë nga Xhafa është edhe ndihma e donatorëve të huaj si dhe ajo e OSBE-së.