E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vasili: Rezultati është i vendosur në tavolinë

02/06/2005  Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, e ka cilësuar si të manipuluar sondazhin e nxjerë nga GALLUP dhe lëvizja "Mjaft". Sipas Vasilit, “ky sondazh më duket sikur është bërë në ndonjë tavolinë, duke manipuluar ato rezultate të një sondazhi të vërtetë“. Për Vasilin, ka vetëm një sondazh, që shqiptarët duhet t'i besojnë dhe ky është rezultati i votës së tyre më 3 korrik. “Partitë politike të gjithë politikanët, të gjithë shqiptarët, duhet të jenë të duruar të presin se si do të jetë sondazhi i vërtetë i zgjedhjeve të përgjithshme dhe për këtë duhet të presin datën 3 korrik". Ndërsa, për përfaqësuesit e LSI-së sondazhi i nxjerrë nga GALLUP është manipuluar nga presioni i forcave kryesore të politikës. Sipas tyre, shifra ku LSI-ja del fituese me 10 për qind është e manipuluar, pasi, sipas burimeve të besuara të tyre pranë Gallup Internacional, kjo forcë rezulton me 17 për qind. Ndryshe janë dhe rezultatet për partitë e mëdha, ku Partia Demokratike ka rezultuar fituese me 39 për qind përballë Partisë Socialiste me 34 për qind, duke krijuar kështu 5 për qind diferencë. Gjithsesi, përfaqësuesit e LSI-së shprehen se sondazhet në Shqipëri nuk tregojnë realisht situatën politike, ku besojnë dhe do të votojnë qytetarët. Këto sondazhe, sipas tyre, kanë më shumë efekte mediatike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›