Moisiu: Të rikompozohet KQZ dhe gjithë komisionet e tjera
Ish-presidenti Moisiu propozoi dje rikompozimin e komisioneve zgjedhore, duke filluar nga qendrori e deri tek ato vendore, me përfaqësues nga inteligjenca jashtë kontrollit partiak. Propozimet e bëra në kuadër të fondacionit “Moisiu“ dje pasdite në një takim dhe me ambasadorë të huaj, vinin në dukje se rikompozimi i KQZ-së mund t’i lihet një komisioni të pavarur, të caktuar nga Presidenti i Republikës. Ish-kreu i shtetit tha se: “Çdo anëtar i komisionit duhet të betohet solemnisht, ata të KQZ-së para Kuvendit, të tjerët para gjykatave të Apelit, sipas rretheve që mbulojnë. Përveç kësaj, çdo anëtar komisioni duhet të firmosë një fletë betimi. Kjo nënkupton që anëtarët e komisioneve marrin mbi vete në mënyrë ceremoniale përgjegjësi penale dhe personale, për zbatimin me përpikmëri të kodit zgjedhor. Për të eliminuar defektet dhe anomalitë e vërejtura në zonat rurale, sugjerohet që qendrat e votimit të mos vendosen në çdo fshat, por në qendrat e komunave. Për t’i bërë të besueshme kartat e identitetit që paraqiten nga votuesit, çdo qendër votimi të pajiset me aparat për verifikimin e tyre“. Sipas tij, nuk është ndonjë vështirësi e pakapërcyeshme, që ndryshimet në Kodin Zgjedhor për komisionet në fjalë të bëhen para 8 majit. Më tej, Moisiu u shpreh se “vitin që vjen është radha për zgjedhjen e kësaj figure të rëndësishme shtetërore. Përvoja e deritanishme ka treguar se në këto raste, gjithmonë mund të krijoheshin kriza, për t’i dalë përpara kësaj të keqeje, si dhe për të pasur një president me kompetenca, për të mos lejuar, ose për të mbyllur me shpejtësi çdo lloj krize politike, gjykojmë se ky problem duhet të shihet“.