E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli letër Buzekut: Duam vëzhgues nga PE

Kukan: Është shumë e rëndësishme të dërgojmë vëzhgues ndërkombëtarë në zgjedhje, që askush më pas të mos ankohet për mungesën e transparencës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka kërkuar zyrtarisht Parlamentit Europian një grup vëzhguesish për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në një prononcim për “Albanian Screen”, këtë fakt e ka konfirmuar kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan. “Kryetarja e Parlamentit shqiptar, zonja Topalli, i ka dërguar letër Presidentit Buzek, për të ftuar vëzhgues nga Parlamenti Europian. Kjo çështje është duke u diskutuar sot dhe nesër. Zakonisht, Parlamenti Europian nuk dërgon delegacione nëpër zgjedhjet lokale. Këtë e bën vetëm për zgjedhjet e përgjithshme. Për këtë gjë tani ka disa opinione: për të dërguar ose jo vëzhgues në Shqipëri. Unë personalisht jam i mendimit për të dërguar vëzhgues për këto zgjedhje, për vetë rëndësinë që kanë këto zgjedhje për Shqipërinë, duke pasur parasysh krizën politike atje. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të dërgojmë vëzhgues ndërkombëtarë në zgjedhje, që askush më pas të mos ankohet për mungesën e transparencës. Pra, është një gjë shumë e mirë që PE të dërgojë vëzhgues për këto zgjedhje”, u shpreh Eduard Kukan. Sakaq, ai shfrytëzoi rastin tu bëjë thirrje politikanëve në Shqipëri që të dëshmojnë maturi politike. “Mesazhi im është shumë i qartë. Politikanët shqiptarë duhet të tregojnë maturi politike, ata duhet t’i organizojnë sa më mirë këto zgjedhje, në mënyrë demokratike dhe transparente”, theksoi Kukan. Në këtë mënyrë, sipas tij, Shqipëria do të mund t’i tregojë botës se është një vend me të vërtet i denjë për t’iu bashkuar komunitetit europian. Kukan insiston se zgjedhjet lokale mund të ndihmojnë në ndërtimin e raporteve korrekte mes partive, por ka dyshime lidhur me zgjidhjen tërësore të problemit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›