Moisiu, i pari që kërkoi amendimin për datën e zgjedhjeve
16/02/2005 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka qenë i pari që ka kërkuar amendimet e Kodit Zgjedhor, që kanë të bëjnë me datën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Pak ditë para votimit të ndryshimeve të Kodit, kreu i shtetit ka shprehur shqetësimin se ka një konflikt mes përcaktimeve të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor. Ndërsa ka paralajmëruar se, në rast se përcaktimet në Kod nuk saktësohen, zgjedhjet do të zhvillohen në muajin korrik, që koinçidon me periudhën e pushimeve verore. Për këtë qëllim, ai zhvilloi takime me krerët e Grupeve parlamentare, pas debateve që lindën mes partive politike për këtë qëllim. Për opozitën, data e zhvillimit të zgjedhjeve më 3 korrik do të thotë cënim të integritetit të votave, ndërsa socialistët kanë kërkuar që të respektohet Kushtetuta, pra data e zgjedhjeve të mos ndryshohet. Të vetmit që kanë marrë një nismë konkrete për këtë çështje ka qenë Grupi parlamentar i PDR-së. Kryetari i saj, Nard Ndoka, ka paraqitur në Kryesinë e Kuvendit një amendament, që parashikon afrimin e zgjedhjeve në muajin qershor, kërkesë kjo që është firmosur nga 28 deputetë të opozitës. Sipas reformatorëve, Kodi duhet të parashikojë që data e zgjedhjeve duhet të jetë deri në 60 ditë në përfundim të mandatit të deputetëve. Ndërsa mbyllja e mandatit duhet të jetë 4 vjet pas shpalljes zyrtare të fituesit të zgjedhjeve prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas këtij propozimi, votimet duhet të zhvillohen nga data 3 qershor deri më 3 korrik.