Moisiu kërkon kujdes për listat e zgjedhësve

28/05/2005 Presidendi i Republikës, Alfred Moisiu, zhvilloi dje një takim me ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi dhe përfaqësues të pushtetit lokal për t’u informuar mbi ecurinë e procesit të hartimit të listave të zgjedhësve. Moisiu në fjalën e tij shprehu rëndësinë e zgjedhjeve të 3 korrikut, të cilat kërkojnë angazhimin e të gjithëve për eliminimin e mangësive të së kaluarës dhe nënvizoi se problemi kryesor është zgjidhja përfundimtare e çështjes së listave të zgjedhësve, një ndër problemet më shqetësues në zgjedhjet lokale të vitit 2003. Ministri Blushi informoi Presidentin Moisiu lidhur me procesin e regjistrimit të zgjedhësve dhe theksoi se puna e bërë ka krijuar një infrastrukturë të besueshme për një proces normal zgjedhor. Sipas tij, listat e hartuara janë të rregullta dhe aktualisht është krijuar skedari i shtetasve, i cili pas zgjedhjeve me një angazhim të mëtejshëm serioz mund të kthehet në regjistër themeltar të shtetasve. Ndërsa përfaqësuesit e kryesisë së Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive u shprehën se shoqata është pjesë e procesit dhe bashkëpunon me strukturat e pushtetit lokal në qendër dhe në terren, duke kryer aktualisht procesin e verifikimit, identifikimt dhe shpërndarjes.