E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prezantohet kandidati Rudolf Papa

28/05/2005  PDS hap fushatën elektorale në Devoll

Partia Demokracia Sociale ka hapur fushatën elektorale në qytetin e Bilishtit në Devoll, ku ka prezantuar kandidatin e saj për deputet, avokatin e mirënjohur Rudolf Papa. Në fillim të fjalës së tij, Papa është ndalur te traditat dhe fisnikëria e banorëve të Devollit, duke vënë në dukje se banorët e kësaj treve janë punëdashës, aq sa ky virtyt është kthyer në simbol. Përkundrejt këtij realiteti, ai ka sjellë në vëmendjen e të pranishmëve të shumtë, mjerimin, vështirësitë ekonomike sociale dhe papunësinë. Ai është shprehur se PDS është për ndërtimin e një shteti social, sipas modelit ndërkombëtar, që parashtron politika të tilla sociale që u përshtaten kërkesave të njerëzve në çdo kohë. Kjo parti, tha ai, do të luftojë për ndërtimin e vërtetë të shtetit social dhe ligjor. "Nuk do ta nisim gjithçka nga e para, por do të mbështesim atë çka është më e mira, duke u distancuar nga të gjitha fenomenet negative", tha Papa. Ai ka theksuar se në qendër të programit të tij elektoral do të jenë arsimi, shëndetësia, infrastruktuara rrugore, energjetike dhe ujore, duke i realizuar përmes projekteve të përgatitura profesionalisht sipas kërkesave të donatorëve vendas dhe të huaj, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Ndërkohë do të shfrytëzojmë të gjitha lidhjet dhe njohjet personale me botën e përparuar. Në vazhdim të fjalës së tij, kandidati Papa është ndalur më konkretisht në programin e tij për zonën 87 dhe veçanërisht për Bilishtin, duke u shprehur se ky qytet nuk do të jetë hije e qytetit të Korçës, siç ka qenë deri më sot. Ai tha se do do të çelte rrugët e kreditimit me interesa shumë të buta dhe të aplikueshme për vendet në zhvillim nga projektet qeveritare dhe bankare. Për këtë, Papa siguroi se në rast fitoreje do të hapte një zyrë në qytetin e Bilishtit, pranë pushtetit lokal, e cila do të angazhohej me përgatitjen e projekteve për këtë qëllim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›