Moisiu kërkon raporte periodike

16/06/2005 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i ka kërkuar komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të publikojë raporte teknike periodike për të gjithë problematikën që mund të shqetësojnë ecurinë e zgjedhjeve. Gjatë një takimi të zhvilluar dje, mes kreut të shtetit dhe kryetarit të institucionit të lartë zgjedhor ky i fundit ka informuar Presidentin me ecurinë dhe problematikën aktuale të procesit zgjedhor. Nga ana e tij, Moisiu ka theksuar rëndësinë që kanë për zhvillimin e vendit. “Zgjedhjet e 3 korrikut të jenë një moment kthese në proceset zgjedhore në Shqipëri, duke realizuar zgjedhje të lira e të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Më tej, Presidenti Moisiu sugjeroi që KQZ-ja të hartojë e publikojë raporte teknike periodike për problematikën e zgjedhjeve, të japë udhëzime të qarta dhe publike për çështje të veçanta, sidomos për procedurat e ditës së votimit. Gjithashtu një nga kërkesat e Moisiut për KQZ-në ka qenë dhe shqyrtimi me seriozitet dhe transparencë të të gjitha kërkesave të subjekteve të ndryshme zgjedhore, të vazhdojë trajnimin e komisionerëve si dhe të intensifikojë fushatën sensibilizuese për pjesëmarrjen në zgjedhje. Në takim u bisedua edhe për probleme të tjera të procesit zgjedhor, ku mësohet se listat e zgjedhësve dhe puna e dobët e KZZ-ve kanë qenë problemi më aktut që KQZ-ja po përballon për të vazhduar me përpilimin e fletëve të votimit.