E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Meta fiton "opingën" në Berat

16/06/2005  Kryetari i PS-së Prezanton kandidaturat e Beratit

Kryeministri Fatos Nano gjatë prezantimit të kandidatit të Partisë Socialiste në zonën 76, Marko Bello dhe në zonën 78, Bashkim Finon, ka sulmur kandidatët rivalë në garën e 3 korrikut. E vetmja shpresë e Berishës së `97, për t’u rikthyer që të dërrmojë jetën dhe të ardhmen tuaj pas 3 korrikut 2005 është çarja e votave të së majtës. Unë e di, ashtu si ju, se Berisha vazhdon të shikojë ëndrra me sy hapur se këtë herë me aleat Ilir Metën do të fitojë opingën këtu në Berat. Gjatë takimit me banorë të komunës së Kozarës, Nano tha se “a ka bosht Leonard Kumaraku, kur në zgjedhjet e kaluara lokale kërkoi të kandidojë për PS? Shikoni në ç’ekstrem ka vajtur. Po mësoheni të ecë në rrugën e re se mos rrëzohet. Apo ai tjetri, që iku me bisht ndër shalë nga policia dhe do të kthehet, por do të kthehet në dhomat e paraburgimit, Albert Pilo. Do ta lëmë të konkurrojë për Ilir Metën dhe pastaj do t’i kërkojmë të gjitha llogaritë, nga kati i parë në katin e dytë, kur ka qenë drejtor”. Kreu i qeverisë i ka premtuar banorëve të Kozarës se kjo komunë do të jetë në qendër të vëmendjes së projekteve të qeverisë, ndërkohë që zona ka thithur rreth 1, 6 milionë dollarë. Nano u ka premtuar fermerëve të kësaj zone ulje të akcizës së karburanteve me qëllim rritje të prodhimeve bujqësore dhe ulje të kostos. Gjatë takimit me banorë të komunës së Perondisë, ku për PS-së kandidon ministri i Rregullimit të Territorit, Fino. Nano ka premtuar se “katërvjeçari i ardhshëm do të sjellë përfundimin e infrastrukturave moderne në çdo drejtim: rrugë, shkolla, spitale, ujë dhe energji pa ndërprerje. Ne ju garantojmë dhe përforcojmë ekonominë e konkurrencës së lirë, kapacitete dhe aftësi reale për anëtarësim të shpejtë në Evropë, kushte dhe mbrojtje të standardeve evropiane për bijtë tanë emigrantë kudo që vendosin të jetojnë, apo lëvizin lirisht në Shqipëri apo jashtë saj, do të garantojmë stimuj realë për punësimin e të rinjve, garanci për një pleqërim të sigurtë e dinjitoz të brezave të artë, dhe mbi të gjitha, do të forcojmë autoritetin e ligjit, në mënyrë që shteti i së drejtës të bëhet garant i patundur i mbrojtjes së interesave të të gjithëve“, tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›