E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Nuk kemi kandidatë të dyshimtë

16/06/2005  Demokratët hedhin poshtë akuzat e ngritura nga "Mjaft" dhe ambasadori i ODIHR

Partia Demokratike ka deklaruar dje se në listën e saj të kandidatëve nuk ka asnjë emër të inkriminuar, apo me precedent penal. Me anë të një deklarate për shtyp, PD i ka konsideruar si sajesa elektorale, të krijuara nga rivalët socialistë, akuzat për kandidat me të shkuar të dyshimtë. Sipas PD-së, në asnjë rast krerët e organizatave të huaja nuk kanë cituar ndonjë emër kandidati konkret të PD, që akuzohet për ndonjë vepër penale. “Në disa të përditshme të sotme është shkruajtur lajmi, sipas të cilit ambasadori i Holandës ose dhe kryetari i Misionit të ODIHR-it, i kanë shprehur Partisë Demokratike dyshimin për kandidatë për deputetë të inkriminuar në prefekturën e Kukësit. Zyra e shtypit të PD hedh poshtë këtë trillim dhe deklaron se gjithçka shkruhet është një sajesë e paskrupullt elektorale, burimet e të cilave kjo parti do t’i hetojë. Ambasadori i Holandës dhe zoti Grunet në asnjë takim nuk kanë cituar ndonjë kandidat konkret të PD të inkriminuar”, thuhet në deklaratë. Në të thuhet se këto lajme i përhapin njerëz që janë paguar nga Kryeministri Nano dhe drejtues të tjerë socialistë, ndërkohë që disa prej kandidatëve të mazhorancës cilësohen si “bajlozë të krimit”, dy prej tyre kandidatë për deputetë në qytetin e Shkodrës. “Këto trillime i hapin ata, të cilët, pasi janë paguar nga Fatos Nano, Agron Duka, Edvin Rama, balozët e krimit, Tom Doshajt, Anastas Angjelët, Shpëtim Idrizët, Paulin Sterkajt, duan të lehtësojnë këta të fundit për trafiqet dhe krimin monstruoz ekonomik që rëndon mbi ta”, thuhet në deklaratë.

Akuzat

Vetëm një ditë më parë në media u publikua lajmi se Trojka Evropiane, e kryesuar nga Holanda, ka shprehur shqetësimin për persona të inkriminuar që kandidojnë nën siglën e dy partive më të mëdha në vend. Mediat i referoheshin burimeve nga dy partitë politike, ndërkohë që në këtë shqetësim është përfshirë edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Shqetësimit të institucioneve ndërkombëtare për prezencën e personave të inkriminuar në listat e kandidatëve e ka ngritur dy ditë më parë edhe lëvizja “Mjaft”, e cila me anë të një deklaratë ngrinte shqetësimin për kandidimin nën siglën e dy partive politike të personave me një të kaluar të errët. Dy prej tyre, sipas “Mjaft”, i përkasin Partisë Socialiste dhe kandidojnë në zonën e Shkodrës, ndërsa një tjetër i përket Partisë Demokratike dhe kandidon në një zonë në qytetin e Kukësit. “Në këto zgjedhje, shumë parti politike kanë futur në listat e tyre të kandidatëve, personazhe famëkeqë të botës së të kërkuarve me të kaluara të dyshimta kriminale. Ne patëm mundësi të shohim në qytetin e Shkodrës, si edhe në Kukës, me sytë tanë, atë që po ndodh me këto emra të përfolur që tani kandidojnë për forca të rëndësishme politike, si dhe mënyrën se si backgroundi i tyre shërben si një mjet frikësues për votuesit”, është shprehur “Mjaft”. Gjithsesi, pavarësisht deklarateve të institucioneve ndërkombëtarë apo atyre vendase në asnjë rast nuk janë dhënë emrat e kandidatëve, si dhe akuzat që rëndojnë mbi ta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›