E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli jeP dorëheqjen nga INSING

16/06/2005  Kandidati i Partisë Demokratike në zonën 90 në Gjirokastër, Genc Ruli, ka dhënë dorëheqjen nga bordi drejtues i Institutit të Sigurimeve, INSIG. Ruli ka shpjeguar se kërkesën e tij për dorëheqje ia ka bërë të ditur kohë më parë ministrit të Financave, Arben Malaj, por ka qenë vetë ministri, i cili e ka shtyrë kërkesën për një moment të dytë. Vetëm tri ditë më parë, Ruli i ka dërguar një tjetër shkresë zyrtare ministrit Malaj, ku i bënte të ditur largimin e tij nga Bordi i INSIG, për shkak të kandidimit të tij në zonën 90, përballë kandidates socialiste, Makbule Çeço. Ruli u shpreh se dorëheqja e tij ka ardhur në respekt të etikës, pasi posti i tij nuk kishte asnjë konflikt me kandidaturën e tij për deputet. “Unë e kam kërkuar largimin për të respektuar etikën në këtë garë elektorale, pasi posti im nuk mbartë asnjë konflikt ligjor me kandidimin tim. Do të kishte konflikt vetëm në momentin, kur unë do të merrja një post me funksion politik”, tha Ruli. Lajmin për dorëheqjen e Rulit nga bordi i INSIG e ka konfirmuar dhe Ministria e Financave, e cila me anë të një njoftimi për shtyp shprehet se ministri i Financave, Arben Malaj, ka pranuar dje dorëhejen nga detyra të kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të INSIG, Genc Ruli. “Genc Ruli jep dorëheqjen për shkak të kandidimit të tij si deputet”, njofton Ministria e Financave.

Përplasja

Por, veç Rulit, duket se kandidatët e tjerë të PD-së nuk do të pranojnë të largohen nga postet që kanë. Kjo dhe pse Presidenti i Republikës është shprehur pak ditë më parë se largimi vullnetar nga detyra është për shkak të respektimit të kodit të etikës dhe jo për shkak të përcaktimeve ligjore. Kështu dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Ylli Pango, zv.rektori i Fakultetit të Korçës, Gjergj Pendavinji dhe dekani i Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike, Gëzim Karapici, kanë theksuar se nuk do të japin dorëheqjen, pasi nuk janë në konflikt interesi me postin që kanë. Ky ka qenë dhe reagimi i kandidatit të LSI-së, dekani i Inxhinerisë Elektrike, Jorgaq Kaçani. Në dilemë është dhe Prefektja e Durrësit, Ingrid Shuli, e cila kandidon në emër të Partisë Socialdemokrate. Megjithatë, duket se dorëheqja e Genc Rulit në respekt të Kodit Zgjedhor do të hapë siparin e dytë të dorëheqjeve, pas largimit të 6 drejtorëve dhe një dekani, të cilët kandidojnë nën siglën e Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›