E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu, konfuz për datën e zgjedhjeve

21/12/2004  Rikthehet në arenën politike debati për datën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Këtë radhë shkak është bërë Kushtetuta e Shqipërisë, që, sipas Presidentit të Republikës, nuk e përcakton qartë se cila pikë do të merret bazë në caktimin e datës së votimeve. "Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij", thuhet në Kushtetutën e Shqipërisë, që, sipas Moisiut, të lë të nënkuptohet dhe ditën e nisjes nga puna të parlamentit, por dhe datën e shpalljes së rezultateve prej KQZ-së.

Deklarata

"Ky problem që po e trajtojmë, besoj se do ta zgjidhim se kush do të jetë data kryesore -shpallja e parlamentit apo shpallja e KQZ-së, kam parasysh vitin 2001", tha Moisiu. Dyshimin e parë për datën e zgjedhjeve e ka hedhur kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi, i cili, një muaj më parë, është shprehur se votimet do të zhvillohen në muajt gusht-shtator. Por duke u bazuar në precedentët e mëparshëm, zgjedhjet duhet të zhvillohen në qershor. Duke marrë si bazë se precedentët vlejnë si nene kushtetuese, data e zhvillimit të votimeve është fundi i muajit qershor. Kjo për vetë faktin se në vitin 1997 votimet janë zhvilluar po në këtë muaj. Ndërsa kështu është vepruar dhe në vitin 2001. Një tjetër pikë e kontestueshme është dhe fakti se zhvillimi i votimeve në muajt nga korriku deri në shtator rrezikon pjesëmarrjen e zgjedhësve, pasi koincidon me pushimet verore. Megjithatë, Moisiu ka siguruar se "data e zgjedhjeve do të vendoset në konsultim me forcat kryesore të politikës shqiptare. Ndërsa fajin për zvaritjen e reformës zgjedhore, Presidenti ia ka adresuar politikës shqiptare.

Angazhimet

Moisiu ka paraqitur para mediave angazhimin e tij për nxitjen e forcave politike dhe të institucioneve përkatëse për reformat integruese, rritjen e transparencës publike dhe veshjen e politikës me qytetari. Reformat në sistemin e drejtësisë, Presidenti i ka cilësuar si një mision që është përmbushur, ndërkohë që ka vend për reforma në KLD për rritjen e pavarësisë dhe profesionalizmit. Prioritet Moisiu ka radhitur reformimi i sistemit të financimit të forcave politike dhe të fushatave elektorale.

PS&PD

Duke sqaruar pozicionin e tij mes PD-së dhe PS-së, Moisiu tha se busulla e tij "ka qenë dhe do të mbetet Kushtetuta dhe ligjet. Disa herë kanë qenë të kënaqur njëra palë, disa herë kanë qenë të kënaqur tjetra palë; prej këtej kanë rrjedhur dhe kritikat lidhur me vendimet e Presidentit, nëse ato kanë qenë të drejta apo jo të drejta". Ndërkohë që kritika për qeverinë aktuale ka qenë gati përgjithësuese. Lufta kundër korrupsionit dhe ulja e varfërisë dhe nxitja e investimeve është parë nga Presidenti si fushatë, për të cilat ka shumë vend për t'u përmirësuar.

Neni 65 i Kushtetutës

1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.

2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.

3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Ndërkohë Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

Moisiu mohon lidhjet me "Albatros Aireayes"

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka mohur lidhjet me kompaninë ajrore e drejtuar nga nipërit e tij. Akuzave për implikim në konflikt interesash për kompaninë ajrore "Albatros Aireays", Moisiu i është përgjigjur se "unë s’kam asgjë të përbashkët me këtë kompani. Nipat e mi, apo të afërmit e mi, janë qytetarë të këtij vendi dhe në kushtet e ekonomisë së tregut ata kanë të drejtat e tyre, siç kanë dhe detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore ndaj ligjeve të këtij shteti dhe në qoftë se dikush i shkel, të përgjigjet deri më një". Nga ana tjetër, kreu i shtetit akuzave në adresë të tij i është përgjigjur me angazhimin që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, "ky fenomen kërkon një luftë të vazhdueshme dhe ne do ta bëjmë këtë jo vetëm sepse na kërkohet, po është pengesë për ecjen përpara të shoqërisë. Korrupsioni është tamam si një ushunjëz, që thith gjakun e zhvillimit të shoqërisë", tha Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›