Sërish incidente me përkthyesen në Ministrinë e Jashtme
21/12/2004 Ministria e Punëve të Jashtme ka organizuar dje një pritje me trupin diplomatik dhe me ambasadorët, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara. Në këtë takim ka marrë pjesë dhe Kryeministri Fatos Nano, i cili ka përshëndetur anëtarësimin në forumin e rëndësishëm për periudhën 2005-2007. Ndërkohë, gjatë fjalës së kreut të Qeverisë, është vënë re sërish incidenti i krijuar prej përkthyesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shkak për incidentin është bërë dalja e Kryeministrit nga fjala e parashikuar për t'u mbajtur para trupit diplomatik. Kështu, ndërsa Nano përpiqej të shkurtonte fjalën e parashikuar me fjalë të rastit, përkthyesja, e cila sillte fjalën e Nanos nga shqipja në anglisht, ka vijuar të përkthejë fjalën e paraqitur zyrtarisht. Një fakt i tillë nuk i ka shpëtuar Kryeministrit, i cili disa herë ka tërhequr vëmendjen. I njëjti incident në Ministrinë e Punëve të Jashtme është përsëritur dhe në pritjen e ministrit të Jashtëm të Rusisë. Në atë kohë, përkthyesja e MPJ-së nuk ka arritur të përkthejë të saktë në rusisht fjalën e ministrit shqiptar, Kastriot Islami. Incidenti në fjalë, një javë më parë, la një shije të hidhur te përfaqësuesi rus, që nga ana e tij ka preferuar të ingranojë përkthyesen e tij. Gjithsesi, në fjalën e mbajtur dje Kryeministri shqiptar ka përshëndetur ambasadorët e pranishëm në festë, për votën pro Shqipërisë që dhanë shtetet e tyre në votimin në OKB. Shkak për këtë besim, Nano ka parë investimet dhe zhvillimin e Shqipërisë. Në të njëjtën mënyrë ka përshëndetur dhe ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, që e ka parë pranimin në këtë strukturë si një shans tepër të madh për vendin tonë.