E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu në Malin e Zi bisedon për shqiptarët

12/03/2005  Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, gjatë ditës së parë të vizitës në Malin e Zi, është takuar me homologun e tij, Vujanoviç. Në bisedë, dy personalitetet kanë diskutuar mbi popullsinë shqiptare në këtë shtet. "Një faktor më shumë në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy palëve është pakica shqiptare në Mal të Zi dhe ajo malazeze në Shqipëri. Temë e bisedimeve ishin edhe qëndrimet tona për çështjet e rajonit e më gjerë. Rajoni ynë ka ndryshuar dhe kjo është rrjedhojë e ndryshimeve që kanë ndodhur e po ndodhin në vendet tona si dhe e angazhimit ndërkombëtar, ku spikasin SHBA dhe BE", tha President Moisiu pas takimit. Presidenti i Republikës tha se në takim u diskutua dhe për situatën në Kosovë. "Ne çmojmë qëndrimin realist prej fqinji të Malit të Zi ndaj Kosovës. Që nga shembja e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë, po arrihet në mbylljen e kapitullit të fundit të ish-Jugosllavisë, që është Kosova. Ne vlerësojmë se përcaktimi i statusit të Kosovës nuk duhet vonuar. Ky vit është viti i vlerësimit të standardeve dhe i fillimit të bisedimeve për statusin final. Ne besojmë se zgjidhja më e qëndrueshme e çështjes së Kosovës do të vijë nga popullsia e Kosovës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar SHBA, BE, OKB", tha Moisiu. Lidhur me zhvillimin më të fundit në Kosovë, atë për çështjen "Haradinaj", Presidentët vlerësuan se "akti i tij ishte një akt civil i një politikani me kurajo, që vë interesat e popullit e të vendit të vet mbi të tjerët. Mesazhi i Haradinajt është domethënës. Ai pranoi përballjen me të vërtetën dhe drejtësinë, të cilës shumë të tjerë, që kanë qenë në rolin e agresorit, i fshihen skutave prej kohësh. Klasa politike dhe populli kosovar treguan një maturi të madhe në përballimin e gjendjes me një ndjenjë demokratike, civile dhe evropiane me tendenca të dukshme për zgjidhjen e problemeve me drejtësi".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›