Petro Koçi: Liderët Politikë janë vjetëruar
11/03/2005 Organizimi i Partisë Socialiste duhe të funksionojë në bazë të disa mekanizmave, të cilat evitojnë përqëndrimin e pushtetit në duart e disa politikanëve. Ndarja e mandateve, funksionimi i demokracisë së brendshme në parti, rritja e pjesëmarrjes së anëtarësisë në vendimmarrjen e partisë janë radhitur si çështjet kryesore, me të cilat PS-ja synon të funksionojë në të gjitha strukturat e saj. Forumi i zhvilluar dje mes përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe komisionit organizativ të PS-së ka propozuar një sërë masash që socialistët duhet të zbatojnë për të rritur pjesëmarjen e qytetarit në parti. Një nga këto mekanizma është dhe zbatimi i parimit "një anëtar, një votë". Kryetari i komisionit, Petro Koçi, lidhur me zbatimin e këtij parimi, theksoi se "kriteret e pëlqimit apo mospëlqimit elektoral vlerësohet nga niveli i demokracisë së brendshme në partitë politike që bëjnë garë elektorale. Sa më shumë demokraci të brendshme të ketë një parti politike aq më i kontrollueshëm do jetë pushteti brenda saj. Dihet që qytetari voton pushtete të kontrollueshme dhe jo pushtete të pakontrollueshme". Gjithashtu, Koçi ka kritikuar dhe përqëndrimin e pushtetit në një, ose vetëm në pak duar, fenomen, i cili, sipas tij, ka përfshirë të gjitha partitë politike në Shqipëri. Sipas tij, "ka një krizë morale të politikës, ka edhe një krizë drejtuese në politikë. Kjo buron edhe nga ndryshimi i nivelit të demokracisë së brendshme në partitë politike, por dhe nga mungesa e platformave transparente të hapjeve të partive politike". Koçi, duke vënë theksin te hapja e partive me shoqërinë civile, shprehet se, "bashkëpunimi me shoqërinë civile shpesh është shndërruar në një platformë të krijimit të oborreve personale dhe jo aq hapjes reale të partive politike për t’i bërë ato më demokratike".