E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhen lëvizjet e kandidaturave në PS

11/03/2005  Socialistët nisin diskutimin për 25 kandidaturat e reja, Ruçi në zonën e Çeços

Ethet e kandidimit për zgjedhjet për Kuvendin 2005-2009 në radhët e Partisë Socialiste kanë filluar. Futja e emrave të rinj e kandidatëve për deputetë ka sjellë një frymë konfliktualiteti brenda mazhorancës socialiste. Burimet thanë për "Metropol" se janë rreth 25 kandidatura të reja, që do të konkurrojnë për zgjedhjet parlamentare.

Tashmë në selinë rozë ka filluar përpilimi i listave për kandidaturat e mundshme, ku, veç emrave të rinj, vihen re dhe lëvizje të befasishme. Veç Nanos, duket se dhe Ruçi ka vendosur të ndryshojë zonë. Ndërsa kryetari i PS-së, Nano, ka zënë vendin e Ruçit, ku i fundit mësohet se do të kandidojë në Gjirokastër, në zonën e Makbule Çeços. Emrat e rinj do të plotësojnë hapësirat e krijuara nga largimi i deputetëve të LSI-së, por pritet të zëvendësojnë dhe deputetë aktualë të kësaj partie. Në këtë kontekst, Igli Toska pritet të kandidojë përballë ish-deputetes socialiste, Monika Kryemadhi, në zonën e Kombinatit, ose në një zonë të Fierit. Andis Harasani, drejtori i KESH, do të jetë një nga kandidatët që PS-ja do t'i besojë një zonë të kryeqytetit, duke u pasuar me emra të tjerë si Arben Ahmetaj, Majlinda Keta, Alban Beqja, Dritan Shano, Shpëtim Idrizi dhe Mimi Kodheli, të cilët do t'i shtohen deputetëve aktualë të kësaj partie në Tiranë. Shumica prej tyre kanë filluar të krijojnë shtabet e punës, duke përgatitur terrenin për fushatën elektorale.

Ndërkohë, deputetët socialistë, të cilët kanë konsumuar PS-në në raport me atë se çfarë i kanë ofruar, nuk do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e ardhshme. Ulja e numrit të elektoratit socialist gjatë zgjdhjeve të fundit të zhvilluara në vend do të jetë dhe faktori, që do të ndikojë direkt në eliminimin nga lista të disa deputetëve aktualë. Ky do të jetë kriteri bazë, me të cilin do të operohet gjatë këtyre ditëve në selinë socialiste. Bardhyl Agasi, Luan Memushi, Maqo Lakrori, Et'hem Ruka, Makbule Çeço etj., janë emrat e përfolur për të mos kandiduar në zonat e tyre, ose për të qëndruar jashtë listës. Edhe pse nuk është zyrtarizuar lista e kandidatëve për deputetë, debatet në stukturat e PS-së si në qendër dhe në bazë tashmë kanë filluar. Vëmendje në përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë PS-ja i ka kushtuar tre qarqeve kryesore të vendit, Tiranës, Durrësit dhe Elbanasit. Në Durrës do të kandidojë Agron Duka si dhe kryetari i Bashkisë së Shijakut, Igli Çela. Gjithashtu, zonat elektorale në veri të vendit do të kenë emra, të cilët gëzojnë mbështetje të elektoratit dhe kanë aftësinë për të grumbulluar sa më shumë vota për partinë. Në zonën e Rrëshenit do të kandidojë Mark Nikolla. Në Kukës, Shyqyri Duraku. Në Laç, Shpëtim Cami dhe Jakin Marena. Ndërkohë që në Qarkun e Shkodrës përfliten që të jenë pjesë e konkurrimit kryetari i PS-së për rrethin, Ndue Doda, prefekti Ramadan Hasanaj, Gjergj Liqejza dhe Lekë Çukaj. Ndërkohë që në jug të vendit, në ish-zonën e Kryeministrit Nano është ftuar që të kandidojë Foto Strakosha. Rival përballë ish-kryeminsitrit Ilir Meta do të kandidojë Aldon Shameti. Ndërkohë që numri dy i selisë socialiste, Gramoz Ruçi, pritet të kandidojë në zonën që drejtohet aktualisht nga Makbule Çeço. Në qarkun e Korçës Maqo Lakrori duket se do të jetë i vetmi deputet i PS-së, që do të kërkojë të mos kandidojë. Megjithatë, duket se lista e deputetëve aktualë, që do të rikandidojnë mbetet e gjatë. Kjo dhe nga fakti se socialistët pritet të paraqiten në zgjedhje me kandidatë në të 100 zonat zgjedhore. Ndërsa në parlament, PS ka vetëm 67 deputetë. Pra, do të duhen dhe 33 emra të tjerë për të plotësuar kuadrin e plotë të socialistëve.Kandidaturat

Arben Ahmetaj

Andis Harasani

Shpëtim Idrizi

Majlinda Keta

Mimi Kodheli

Igli Toska

Artur Duçkollari

Alban Beqja

Dritan Shano

Saemira Pino

Mark Nikolla

Tauland Balla

Shefikat Ngjela

Ardian Petollari

Aldon Shameti

Vali Bizhga

Monda Stefa

Igli Çela

Myzelejen Hoxha

Rikonfirmohen

Arda Dade

Ben Blushi

Servet Pëllumbi

Pandeli Majko

Blendi Klosi

Agron Duka

Fatos Nano

Garmoz Ruçi

Petro Koçi

Namik Dokle

Ermelinda Meksi

Marko Bello

Valentina Leskaj

Gjergji Koja

Valentina Leskaj

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Socialiste, Valentina Leskaj, ka mohuar zërat se mes radhëve të socialistëve ka konflikte për kandidatët si deputetë. Përfshirja e emrave të rinj pranë kësaj partie dhe eliminimi i disa deputetëve aktualë, për listën e ardhshme të deputetëve të PS-së, sipas Leskaj do të jetë në varësi të procesit që ka ndërmarë çdo strukturë e partisë. Sipas saj, "ende nuk janë miratuar akoma strukturat vendimmarrëse, përderisa ende nuk janë diskutuar, por natyrisht që do të ketë ndryshime, sepse ne jemi në një proces reformimi dhe ndryshimi, i cili, siç e keni vënë re, ka të bëjë dhe me politikat dhe me njerëzit". Leskaj thekson se aktualisht pranë strukturave të PS-së nuk ka ardhur asnjë vendim personal për tërheqje nga kandidimi. Gjithashtu, Leskaj thekson se në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së, natyrisht që do të ketë një përfshirje të madhe të njerëzve të shoqërisë civile, të cilët kanë qenë të kooptuar pranë kësaj partie gjatë këtyre viteve. Sipas saj, "afrimi i shoqërisë civile është një proces në vazhdimësi për PS-në. Ky proces ka filluar që në vitin 1997, duke futur elementët e parë të kësaj shoqërie në politikat e saj".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›