E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu paditet për "shpifje" nga ish-deputeti Bilani

Ish- kandidati pretendon se publikimi i emrit të tij si i papërshtatshëm për deputet, ndikoi në zgjedhje


TIRANË- Pas padisë penale të depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet nga deputetët Asllan Dogjani e Vangjel Tavo për "shpifje" ndaj ish-Presidentit të Republikës Alfred Moisiu, kësaj liste i shtohet edhe ish-kandidati për deputet i Partisë Socialiste të Vërtetë '91 në Fier, Nazmir Bilani. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë togave të zeza, kancelaria e së cilës me anë të shortit elektronik ka caktuar gjyqtarin Arben Micko si kryesues i shqyrtimit të kësaj padie penale. Sipas padisë që mban firmën e ish-deputetit të Partisë Socialiste në Fier gjatë viteve 2001-'05 dhe ish-kandidat për deputet po në këtë zonë nga PSV '91 Nazmir Bilani, ish-Presidenti i Republikës ka konsumuar veprën penale të shpifjes ndaj personit të tij. Kjo shpifje, është kryer botërisht dhe ka qenë një nga arsyet që kandidati për deputet nuk ka fituar mandatin e deputetit në këtë zonë.

Sipas padisë penale të Bilanit, e regjistruar në Gjykatën e Tiranës me 8 tetor 2009, akuzohet ish-presidenti Moisiu për shpifje. Kjo akuzë është konsumuar, sipas padisë pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, ku drejtuesi i koalicionit për "Parlament të Pastër" Alfred Moisiu, publikoi disa emra të kandidatëve për deputet si jo të denjë për Kuvendin e ardhshëm. Publikimi i kësaj liste, solli reagime të ashpra në publik dhe midis kandidatëve, emrat e të cilëve ishin lakuar si të papërshtatshëm për këtë post.

Reagimi i parë në atë kohë erdhi nga ana e kandidatit të Partisë Socialiste në Qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani i pasuar më pas nga kandidati dhe tashmë deputeti i Gjirokastrës, Vangjel Tavo, të cilët i drejtuan Gjykatës së Tiranës procedimin penal ndaj Alfred Moisiut dhe dënimin e tij, në bazë të ligjeve shqiptare, për akuzën e "shpifjes", si dhe shpërblimin e dëmit të caktuar me një vlerë prej 5 milionë lekësh.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›