E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet sërish gjyqi i Gërdecit, familjarët irritohen

GËRDECI

Mungesa e avokatit të ish- kreut të Ushtrisë, detyroi gjykatën të emërojë një avokat kryesisht

Shtyhet sërish gjyqi i Gërdecit, familjarët irritohen

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, në mungesë të avokatit mbrojtës të gjeneralit Luan Hoxha, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj të gjithë të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit duke caktuar datën 21 tetor si ditën e vazhdimit të këtij procesi gjyqësor. Shtyrja e seancës irritoi familjarët e viktimave që ndodheshin në sallën e gjyqit nr.1, të cilët kërkuan që procesi mos të zvarritet por të vazhdonte. Pas pak minutave apelim në nisje të seancës së djeshme, kryesuesi i seancës Ridvan Hado, konstatoi mungesën e avokatit Ibrahim Lahi, mbrojtës i Luan Hoxhës. Në mungesë të tij dhe për të mos shtyrë seancën, avokatët e tjerë në këtë proces gjyqësor i kërkuan togave të zeza të presin për disa minuta ardhjen e avokatit Lahi.

Gjykata është tërhequr për 15 minuta, duke u kthyer më pas në sallën e gjyqit, por avokati Lahi nuk u paraqit. Mos paraqitja e këtij të fundit, detyroi gjykatën të caktojë një mbrojtës kryesisht, avokaten Valentina Teodoreskun. Me të hyrë në sallën e gjyqit, avokatja i kërkoi Gjykatës një javë kohë për tu njohur me dosjen. Kjo kërkesë u pranua nga gjykata, që vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për të vazhduar më 21 tetor në orën 10:00. Pas këtij vendimi, reaguan familjarët e viktimave të pranishëm në sallën e gjyqit. Ata kërkuan nga avokatët e pranishëm, që mos të mungonin në sallën e gjyqit sepse ky proces po shkon drejt degjenerimit.

"Çdo seancë gjyqësore ndodh të mungojë dikush dhe kjo po e dërgon dosjen penale në një dështim",-u shprehën familjarët. I pranishëm në kafazin e hekurt, të sallës ka qenë i pandehuri i arrestuar Sokol Ngjeçi, që preferoi të paraqitej vetë në sallën e gjyqit, dhe jo të bojkotonte atë si të pandehurit e tjerë të arrestuar Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli e Ylli Pinari, që përfaqësoheshin nga avokatët e tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›