E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pollo, letër Berishës për koalicionin

02/03/2005  Reformatorët ftojnë krerët e PD-së për bisedime mbi bashkëpunimin në zgjedhjet parlamentare

Nard Ndoka nis bisedimet në sekretarin e Përgjithshëm të Demokratëve, Ridvan Bode

Kryetari i PDR-së, Genc Pollo, i ka kërkuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, zyrtarisht bashkëpunim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime në PDR, bëjnë të ditur se, ditët e fundit, Berisha ka marrë një letër nga kryetari i reformatorëve, Pollo, me anë të së cilës i ofrohet bashkëpunimi i PDR-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se deri më tani nga PD nuk është kthyer ndonjë përgjigje konkrete, ndërkohë që bisedimet vazhdojnë në rangje më të ulëta përfaqësimi. Megjithatë, të dy palët deklarojnë se janë për një bashkëpunim në zgjedhje, edhe pse nuk kanë paraqitur kriteret konkrete.

Tentativat

Tentativat për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme mes dy partive të opozitës janë bërë dhe më parë nga kryetari i Grupit parlamentar të PDR, Nard Ndoka. Sipas të njëjtave burime, mësohet se edhe dje ky i fundit zhvilloi një takim me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Ndoka u shpreh, në një prononcim për "Metropol", se tema e takimit me sekretarin e Përgjithshëm të PD-së ka qenë pikërisht fillimi i bisedimeve zyrtare mes dy partive, me qëllim daljen në një koalicion të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndoka nuk pranoi të japë detaje, lidhur me letrën, që kreu i partisë së tij i ka nisur kryetarit të PD-së, Berisha. Megjithatë tashmë mes dy kryetarëve të partive demokrate kanë nisur kontaktet e para.

Koalicioni

Një takim i mundshëm mes Pollos dhe Berishës, ishte parashikuar të zhvillohej pas kthimit të liderit demokrat nga Mëngjesi i Lutjeve Amerikane, në fillim të muajit shkurt. Partia Demokratike, edhe pse nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e daljes në koalicion me reformatorët, ka hezituar të hedhë hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit. Reformatorët, nga ana tjetër, shprehen të shqetësuar për këto vonesa, pasi, sipas tyre, koha kalon dhe duhet organizuar puna në bazë për përgatitjen e infrastrukturës së zgjedhjeve dhe përzgjedhjes së kandidaturave. Kreu i Grupit parlamentar, Nard Ndoka, është shprehur para pak kohe se bisedimet për koalicionin mes partive opozitare duhet të përshpejtohen, me qëllim që të vendosen piketat e bashkëpunimit. Nevoja për një koalicion mes partive të djathta është konsoliduar më shumë pas daljes në skenë të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, të udhëhequr nga Leka Zogu, i cili mblodhi rreth tij pjesën më të madhe të partive, që ishin në koalicion me PD-në. Ftesës së LZHK-së nuk iu përgjigjën vetëm PR-ja, e cila është pjesë e koalicionit me PD-në, PBL-ja dhe PDR-ja, të cilat preferuan të presin një përgjigje pozitive për bashkëpunim me Partinë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›