E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD përshëndet raportin e SHBA-së për të drejtat në Shqipëri

02/03/2005  Partia Demokratike ka përshëndetur dje, me anë të sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë, Besnik Mustafaj, raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri. Sipas Mustafajt, raporti i fundit tregon se SHBA-të dhe administrata e saj tregojnë se janë shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe sidomos ndaj respektimit të të drejtave themelore të njeriut. "Në mënyrë të përmbledhur, do të thosha që korrupsioni, dhunimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, mosfunksionimi i shtetit ligjor, politizimi dhe inkriminimi i segmenteve të rëndësishme të administratës publike, janë pengesat themelore, sepse janë pengesa parimore që ka ngritur administrata e Nanos bashkë me Nanon në krye, për të sabotuar në miqësinë dhe bashkëpunimin me SHBA", tha Mustafaj. Sipas tij, PD-ja në programin e saj elektoral ka ndërtuar një skemë konkrete për t'i dhënë fund shkeljeve të të Drejtave të Njeriut në vendin tonë. "Edhe njëherë sigurojmë Departamentin e Shtetit se ndjekim me shumë vëmendje gjykimet dhe analizat që ata i bëjnë Shqipërisë dhe problemeve të saj, dhe mbi bazën e këtyre dokumenteve, që ne i konsiderojmë dokumente të rëndësisë së veçantë, ne ndërtojmë edhe programet tona", tha Mustafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›