Momenti i hakmarrjes

Chelsea dhe Barcelona do të përballen sonte në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Klubi anglez do ta kërkojë hakmarrjen, pas golit të Andres Iniestas të shënuar në sezonin 2008/09, i cili e dërgoi Barçën në finale, që e fitoi më pas 2:0 ndaj Manchester Unitedit.
Menaxheri i Chelseas, Roberto di Matteo, i cili e dërgoi ekipin londinez në finale të FA Cup të dielën, e mirëpret gjigantin katalunas në Stamford Bridge. Blues mund të jenë të hendikepuar pa qendër mbrojtësin David Luiz, i cili ka pësuar një lëndim në fitoren e së dielës 5:1 ndaj Tottenhamit.
Di Matteo beson se fakti që do të luajë ndaj Barçës mund të bëjë që ekipi i tij të eksplodojë dhe shton se fokusi duhet të jetë te çdo lojtar kundërshtar, jo vetëm te futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi.
“Nuk bëhet fjalë që të mundohemi ta ndalim vetëm një lojtar, ngase është e qartë se atje luajnë disa lojtarë që mund të të dënojnë. Duhet të jetë një taktikë ekipore, një strategji ekipore, të jemi të aftë ta limitojmë kërcënimin e tyre”, deklaroi trajneri italian.
Di Matteo ishte pasardhës i Andre Villas-Boas, duke e ndihmuar Chelsean nga marsi që t’i arrijë 9 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje. Mesfushori ofanziv Juan Mata do të luajë një rol kyç te Chelsea, me spanjollin i cili do ta përkrahë sulmuesin Didier Drogba.
Ekipit të Di Matteos i nevojitet një rezultat i mirë në ndeshjen e parë në shtëpi, nëse dëshiron të shpresojë në finale pas përballjes së dytë, që do të zhvillohet në Camp Nou.
Në anën tjetër, Lionel Messi ka shënuar 20 gola në 11 ndeshjet e fundit, një statistikë e jashtëzakonshme, që e riktheu ekipin e tij në luftë për titull në La Liga. Përballja ndaj Chelseas fillon një javë vendimtare për ekipin e Pep Guardiolës, që do të takohet të shtunën me Real Madridin në El Clasico.
Barça është e pamposhtur në 15 ndeshjet e fundit, në të gjitha kompeticionet dhe vjen pas fitores ndaj Levantes 2:1. Në këtë ndeshje, e cila u zhvillua të shtunën, trajneri i pushoi lojtarët si Iniesta, Dani Alves e Gerard Pique, që pritet të jenë në përbërjen e parë ndaj Chelseas. Ekipi i Guardiolës ka pësuar vetëm një gol në katër ndeshjet e fundit, një shenjë e qartë kjo për kundërshtarin.
“Ne nuk duhet të mendojmë për përballjen me Realin, por të fokusohemi te Chelsea, ngase është një ndeshje gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve. Nëse fitojnë ata, ne jemi të mbaruar. Të shohim se si do t’i qasemi lojës. Kemi nevojë ta bëjmë një lojë të mirë për t’i mposhtur ata”, deklaroi Guardiola.
Liga e Kampionëve
Gjysmëfinalja
Sonte
Chelsea – Barcelona 20:45