E Diel, 1 Nëntor 2026

Momenti magjik i Ronaldinjos: Titulli te Milan, unë në Botëror

Rilindja e një kampioni: 14 asistet e tij e kanë bërë Milanin rivalen më të fortë të Interit për kreun Ylli brazilian beson te fitimi i kampionati: “Ja 5 arsyet për të thënë “Po”

Për Ronaldinjon ky sezon është ai i rikthimit të madh, ai në të cilin është rikthyer të fluturojë pas vitesh të palumtura që pasuan fitimin e “Topit të Artë” në kohën e Barcelonës. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” ai nënvizon situatën favorizuese për të dhe skuadrën e tij dhe lëshon një mesazh dashurie për Milanin: “Jam i kënaqur për atë që po bëj aktualisht. Të gjitha pyetjeve që më bëhen, synoj t’u përgjigjem në fushë. Nuk kam menduar kurrë të largohem nga Milani. Që nga dita e prezantimit në ‘San Siro’ kam menduar se këtu është shtëpia ime. Dhe nga shtëpia nuk iket kurrë. Rinovimi im? Nuk është koha të flasim për atë gjë. Kemi shumë ndeshje të rëndësishme për të luajtur. E përsëris jam shumë i lumtur këtu. Galiani dhe Berluskoni e dinë këtë”. Asi brazilian beson në mundësinë për të rikuperuar distancën me Interin dhe për të fituar titullin kampion në Seria A: “Ne duhet të fitojmë gjithnjë dhe atë të humbin ndonjë pikë në ndeshjet e tyre. Pa derbin do të ishim ne në krye tani... Nuk fitoj një titull që nga 2006 dhe do ta doja patjetër këtë vit. Besoj për pesë motive: grupi, cilësitë e mia, faktet se te Milani ka kampionë të mëdhenj, që munden të jenë të efektivë, kur Leonardi i dërgon në fushë. Pastaj Leonardo po tregon se është një trajner i madh: bën zgjedhje inkurajuese dhe na jep qetësi dhe siguri. Në fund janë të rëndësishëm tifozët. Në Firence na kanë thënë një shtytje decizive”. Sot në “San Siro” vjen Atalanta: “është ndeshja më e vështirë dhe më e rëndësishme e vitit, paralajmëron fantazisti i kuqezinjve, rrezikojmë të shpërqendrohemi”. Ndërkohë, ka diçka edhe për Murinjon: “Mua më pëlqen, është një trajner i madh. Por besoj se kushdo duhet të shikojë punët e tij. Sidoqoftë, ato mendime të tij për ‘Calciopolin’ e ri nga Milani, janë thjesht mendimi i tij dhe jo tonat. Leonardo, pasi humbi derbin, nuk tha asgjë sepse e merituam humbjen”. Në fund flet edhe për ëndrrën e tij për të shkuar në Afrikën e Jugut me kombëtaren braziliane: “Do të synoja ta bind Dungën të më marrë me vete. Nëse vazhdoj të luaj kështu, mendoj se do të mund t’ia dal”. Ishin të shumta bastet për trajnerin Leonardo në fillim të sezonit, por ndoshta ai më i rëndësishmi i fituar është se i ka rikthyer publikut një kampion si Ronaldinjo. Braziliani, i cili në sezonin e tij të parë italian nuk kishte shkëlqyer, ka filluar të ndihet tani dhe e ka çuar skuadrën në luftën për titull falë asisteve të tij. Janë 13, ose 14 nëse marrim në konsideratë edhe atë për Paton në fitoren 2-1 ndaj Fiorentinës, topat e dhuruar për shokët dhe që më pas kanë përfunduar në rrjetë në këtë sezon, një shifër vërtet e rëndësishme. Pa konkretizim, por edhe shumë hapësirë për kreativitetin dhe spektaklin. Nuk do të jetë më lojtari i admiruar te Barcelona, edhe sepse futbolli italian është ndryshe, por efikasiteti është rikthyer po ai, mos më mirë. Dunga është i paralajmëruar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›