Shumaker do të përfitojë 50 mln euro në vit
Botërori 2010 në Formula 1 ende nuk ka filluar, por Mikael Shumaker vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Kjo jo vetëm për kohët e regjistruara në teste, të cilat kanë qenë më të larta nga sa pritej. Rikthimi në pista i shtatë herë kampionit të botës me makinën Mercedes, natyrisht që do të tërheqë vëmendjen e mediave më të mëdha botërore, të cilat si zakonisht vazhdojnë të bëjnë llogaritë e përfitimeve të pilotit gjerman. Shifra që Shumaker do të përfitojë gjatë vitit 2010 është mjaft e lartë, bëhet fjalë për miliona euro. Por, ndryshe nga sa mendohej, ai nuk do të fusë në bankë 7 milionë euro, por plot 50. Një shumë e “çmendur”, që sipas të përditshmes zvicerane “Blick”, nuk do të paguhet vetëm nga prodhuesi gjerman i automjeteve. Mercedes do të paguajë “vetëm” 21 milionë euro, plus shpërblimeve në bazë të rezultateve të arritura. Sponsorizimet e shumta personale të pilotit gjerman, do të bëjnë që ai të përfitojë shifrën e pabesueshme prej 50 milionë eurosh vetëm në një sezon: kjo është rroga më e lartë në historinë e F.1. Për momentin, Shumi nuk e pohon, por as nuk e përgënjeshtron lajmin e publikuar nga gazeta zvicerane. Në të kaluarën, ai vetëm sa ka deklaruar se nuk është kthyer për paratë: “Absolutisht që nuk u ktheva për parà, por për t’u zbavitur. Mercedesi këmbënguli dhe këtë e mora si një sinjal besimi kundrejt meje. Ata më ofruan tre vjet kontratë, për të arritur suksese së bashku. Megjithatë, nuk është e thënë se në momentin kur do të më përfundojë kontrata unë do të tërhiqem nga garat”.
#