E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogby: PD e para, e majta më shumë vota

 

BLEDAR HOTI

Sondazhi i “Zogby”-t nuk nxjerr asnjë koalicion politik fitues në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në sondazhin e kryer nga “Zogby” në bashkëpunim me Top Channel, i fundit përpara votimeve të përgjithshme nxjerr PD-në si fituese parti ndaj PS-së, por si koalicione ato kanë dalë me përqindje të barabarta me 42% me 42%. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot Partia Demokratike do të ishte parti fituese, me 40%, ndërsa PS-ja do të renditet me 38%. Ndërsa LSI-ja me 4%, dhe G99 me 2%. Partitë e tjera parlamentare janë me nga 1 për qind secila. Në këtë sondazh 8 për qind e të anketuarve janë të pasigurt në votën që do të hedhin, ndërsa 25% e tyre e kanë zgjedhur se për kë do të votojnë, por nuk e deklarojnë atë. PD dhe PS në krahasim me sondazhin e kaluar kanë një rritje me dy pikë. Ndërsa për sa i takon koalicioneve, pas gjashtë muajsh sondazhe “Zogby” ka dhënë shifra të barabarta, çka do të sillte, sipas tij, që vendi të mos kishte mundësi të krijonte një maxhorancë qeverisëse dhe të shkohej sërish në zgjedhje të parakohshme. Në sondazhin e realizuar për koalicionet rezulton se Aleanca e Ndryshimit, e drejtuar nga PD-ja ka 42% të votave, ndërsa Bashkimi për Ndryshim i drejtuar nga PS-ja ka po të njëjtën përqindje. Koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim” e kryesuar nga LSI është me 4% të votave, ndërsa “Poli i Lirisë” me 2 për qind. Në këtë sondazh janë pyetur një mijë persona gjithsej nga ana e “Zogby”-t. Sipas analistit të këtij institucioni, Sam Rodgers, marzhi i gabimit nga ky sondazh është 3.2 për qind gjithsej. Një marzh i tillë gabimi përllogaritet përgjatë gjithë kësaj periudhe kur janë kryer sondazhe nga ana e “Zogby”-t. Anketimi është realizuar nga 23 maji deri në 10 qershor. Për herë të parë “Zogby” realizon sondazhe edhe mbi bazën e koalicioneve.  Ndërsa 76% e të anketuarve besojnë se vota e tyre në këto zgjedhje do të ketë ndikim, 20% nuk do të ketë vlerë, si dhe 79% mendojnë se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe 17% nuk e besojnë. Për sa i përket performancës, 45% mendojnë pozitivisht për kryeministrin Berisha, kundrejt 46% që mendojnë për rivalin e tij politik Edi Rama. Ndërsa 53% mendojnë negativisht për performancën e kryedemokratit dhe 50% për kryetarin e PS-së. Ndërsa çështjet më të ndjeshme mbeten papunësia, ekonomia, varfëria, ku korrupsioni zë vetëm 22%.

Sondazhi i zogby

Përqindja mes partive

Partia Demokratike             40%

Partia Socialiste                 38 %

Lëvizja Socialiste për Integrim         4%

G99                     2%

PR, PBDNJ, LZHK, PDK, PSD         1%

Përqindja e Koalicioneve

Aleance e Ndryshimit (PD)         42 %

Bashkimi për Ndryshim (PS)         42 %

Aleanca Socialiste për Integrim (LSI)     4%

Poli i Lirisë                 2 %

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›