E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Western” në qendër të Laçit, tre të plagosur

• Tre persona përleshen me armë në mes të qytetit të Laçit. Nga plumbat e pistoletave janë plagosur të tre protagonistët, ndërsa kanë shpëtuar paq kalimtarët e rastit.LAÇ / Roland NikolliPër rreth 20 minuta, sipas dëshmitarëve okularë, të rinjtë kanë shkëmbyer zjarr në lagjen 3, pas Bashkisë së Laçit. Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forca të shumta policie nga komisariati i Laçit, e më pas janë afruar dhe forcat speciale të stacionuara prej muajsh në këtë qytet. Sipas policisë është arritur menjëherë identifikimi i autorëve, të cilët kanë mbetur në vend të gjakosur si dhe skenën e përleshjes. Rreth orës 16:00, mësohet se Viktor Fufi nga Mamurrasi po udhëtonte me makinë bashkë me Eduart Trokthin nga Laçi, në afërsi të shkollës së mesme "At Shtjefën Gjeçovi". Në këtë moment janë përballur me Armir Reçin nga fshati Gjormë i Kurbinit. Ky i fundit, i ardhur pak ditë më parë nga Italia, ka nxjerrë pistoletën dhe ka nisur të qëllojë ndaj makinës me dy të rinjtë brenda. Menjëherë kanë reaguar Fufi dhe Trokthi, që po me pistoleta kanë qëlluar ndaj Reçit. Dhjetëra kalimtarë të rastit janë futur nëpër pallate, duke u munduar t'u shpëtojnë plumbave të pakontrolluar. Nga shkëmbimi i zjarrit mes tyre, sipas policisë, të tre personat kanë marrë plagë në pjesën e këmbëve. Kanë qenë uniformat blu që i kanë transportuar ata drejt spitalit të Laçit, e më pas, me qëllim shmangien e përplasjeve mes të afërmve të tyre, i kanë transportuar dy të plagosurit në Tiranë e një tjetër në Durrës. Të tre personat njihen si kontigjentë të policisë në Qarkun e Lezhës, të akuzuar për vepra të ndryshme penale, kryesisht plagosje me armë zjarri. Duke u nisur nga të dhënat për këta persona, policia dyshon se ky konflikt me armë ka marrë shkas nga koha kur ata kanë qenë në emigracion, në Itali. Ata janë marrë në pyetje, por asnjë nuk ka pranuar të rrëfejë shkaqet, duke shtyrë hetuesit të mendojnë për ndonjë prishje pazari mes tyre për çështje jo të ligjshme. Ndaj të treve është ngritur akuza e "tentativës së vrasjes" dhe pritet që të zbardhen detajet e sherrit që çoi në nxjerrjen e armëve në mes të qytetit.Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, forca të shumta policie janë shpërndarë nëpër rrugët e Laçit për patrullime e kontrolle për persona me armë pa leje, duke krijuar tjetër ankth në radhët e banorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›