E Diel, 1 Nëntor 2026

Selamllëqet e Shkodrës

10/04/2005  Arkitektura

Ngrehinat e pritjes në qytetin e Shkodrës “Selamllëqet”, në fundin e shek. XVIII deri në fillim të shek. XX; oda e miqve dhe familjet më të pasura që sollën ndryshime në shijet arkitekturore

Shkodra - qyteti më i ndjeshëm ndaj qytetërimit ballkano-evropian në fund të shek. XVIII, e shprehur në shijet delikate arkitekturore. Çardakët shiheshin me sqimë për të treguar “zemrën” dhe jetuar mirë.

Në shek. XIX, Shkodra ka qenë një ndër qytetet kryesore të vendit në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor, të madhështisë dhe rëndësisë së saj si qendër vilajeti dhe të rolit të madh ndërlidhës, që ka luajtur në tregtinë me vendet e Adriatikut dhe të pellgut të Mesdheut, në mes Lindjes dhe Perëndimit.

Rrjedhojë e kuadrit të mësipërm që e karakterizonte Shkodrën e kësaj periudhe, është veprimtaria e shënuar ndërtimore, në përgjithësi, dhe në qytetin e ri në veçanti. Mbas gjurmimit e studimit në tërësi të trashëgimisë ndërtimore të qytetit të ri dhe njohjes së ngrehinave më përfaqësuese, rezulton që zhvillimi urbanistiko-arkitekturor i periudhës në shqyrtim shquhet për koncepte e dukuri të reja. Dukurinë më të rëndësishme e ndeshim njëherësh si në aspektin urbanistik, që pasqyrohet kryesisht me mënyrën e re të kompozimit me blloqe banimi, po ashtu në aspektin arkitektonik me ndryshime në tipologjinë e banesës.

Si presin familjet e mëdha

Kjo dukuri pasqyrohet që në fillim të kësaj periudhe në qytetin e ri, me ngritjen e komplekseve të rinj të banimit, në përbërjen e të cilave krahas banesës tradicionale “me çardak”, jerevisë e kullës së sanës, ndërtohet dhe shtëpia e miqve “selamllëk”.

“Kjo ngrehinë e re, me funksion kryesor të pritjes së miqve të familjeve më të njohura të qytetit, u kompozua si ndërtim me vete jashtë banesës, afër apo ngjitur me jerevinë dhe u vendos brinjë rrugës, me lidhje të drejtpërdrejtë apo të veçantë me rrugën, për të kryer sa më mirë qëllimin kryesor të plotësimit të nevojave të kohës, të pritjes e strehimit të miqve të tij dhe lehtësimit e kërkesave të banimit të banesës “mëmë”, shkruan specialisti Skënder Luzati në revistën “Monumentet”.

Ndërsa, Emin Riza e përcakton se kjo banesë “u konceptua dykatëshe. Duke qenë një objekt përfaqësues i familjes, shpesh me vendosje ballore në rrugë iu nënshtrua një përkujdesje të veçantë në trajtimin arkitekturor të fasadës. Ajo kompozohet si banesë e mbyllur, pra me tipare qytetare, në përputhje me konceptet dhe frymën e re bashkëkohore mbarë ballkanike. Duke filluar nga çereku i dytë i shek. XIX, arkitektura e banesës së qyteteve ballkanike fillon të marrë mjaft tipare të përbashkëta, që shprehen kryesisht në preferencën për banesën e mbyllur në një përpunim më të kujdesshëm të fasadës dhe në përgjithësi në një koncept përherë e më qytetar”.

Të pasurit, të dhënë pas “selamllëkut”

Ndërtimi i komplekseve të rinj të banimit, ku ndeshim edhe “selamllëkun” dhe kompozimin urbanistik në bllok, me ngritjen e tyre brinjë njëra-tjetrës, sipas Luzatit, përfaqëson një arritje të shënuar të kësaj periudhe. Kjo është një formë e re e të banuarit dhe të ndërtuarit, që shpreh materialisht prirjen për zhvillim, duke u larguar nga jeta tepër e mbyllur familjare, ajo dëshmon për ecurinë e shoqërisë së atëhershme, për përshtatje me kërkesat e reja të kohës.

Sipas specialistit Luzati, e rëndësishme është se ngritja e komplekseve të banesave me pjesë përbërëse të tyre “selamllëkun”, nuk qe sporadike apo e veçantë, megjithatë duhet theksuar se ajo nuk ishte mbizotëruese në ndërtimet e qytetit të atëhershëm. Këto komplekse të rinj u ngritën kryesisht nga shtresat e pasura dhe u ndërtuan krahas masës së banesave tradicionale, përbri rrugës, që i përkisnin shtresës zejtaro-tregtare të qytetit. Në Shkodër kishin “selamllëqe” familjet më të njohura, ato quhen “Hanedane” dhe shquheshin për mikpritjen e tyrë në çfarëdo kohe, madje dhe natën nëpër portat ndriçonin kandilat. Për këto ngrehina të reja për pritje të miqve të shumtë të Shkodrës së atëhershme, H.Bushati thotë se, “dyert e mëdha ose të quajtura hanedanet, kishin ndërtesa të veçanta për pritje miqsh, selamllëqe, banesa sa edhe sot disa prej tyre kujtohen nga pleqtë e Shkodrës. Nga hanedanet e këtij vendi kanë ngelë gjithnjë në kujtesën e popullit shtëpia e Kazazëve, Hotëve, Sykajve, Bushatasve, Gjylbegajve, Reçve etj. Këtu është fjala për mikpritjen e miqve nga krahina apo vise të Shqipërisë, miq e dashamirës të njohur e të panjohur, jabanxhi etj., dhe jo për pritjen e farefisit, krushqive e të gjinisë. Shtëpiat mikpritëse e kanë nderuar Shkodrën me bujarinë e tyre”.

Rruga “Musa Luli”, oda prej ‘700-ës

Ky bllok në gjendjen e sotme vjen pjesërisht e transformuar, megjithatë, në një fragment të tij, me gjatësi rreth 300 m ruhen ende një pjesë e komplekseve të rinj të përngjitur si dhe pesë “selamllëqe”. Këta të fundit përbëjnë gjysmën e numrit të mëparshëm të shtëpive të pritjes dhe dy prej tyre janë thuajse në gjendjen fillestare. Ky bllok u ndërtua në afërsi të njërës prej rrugëve kryesore tranzite të qytetit të atëhershëm. Ndërtimi është dykatësh, pjesërisht ka qenë i hapur “me çardak” të vogël dhe me pamje të kufizuar nga ana e oborrit të shtëpisë, duke pasur një ndarje të qartë funksionale.

Kjo ngrehinë e re shquhet për një përkujdesje të pamjes kryesore. Ajo ishte e suvatuar nga jashtë dhe në fasadë rolin kryesor, tashmë e luajnë dritaret si elementi më i rëndësishëm në trajtimin arkitekturor.

Një tjetër selamllëk, po në rrugën “Musa Luli” është një ngrehinë e ndërtuar në vitin 1797, sipas mbishkrimit që mban mbi portën e saj. Ajo kishte si funksion kryesor atë të pritjes së miqve të banesës-mëmë, që, sigurisht ishte ndërtuar më parë e ngrihej prapa saj. Kompleksi i banesës me çardak kishte në përbërjen e saj, krahas kullës së sanës e jerevisë, edhe selamllëkun, i cili është i vetmi objekt që ka mbetur, duke qenë pjesërisht i ndryshuar.

Mënyra e të konceptuarit si dhe të ndërtuarit me banesa të afërta, apo të përngjitura në Shkodrën e re të kësaj periudhe dhe gjetjes së formës së re të banimit, me heqjen e funksionit të pritjes së banesës tradicionale me ndërtimin në vete të selamllëkut, ka afërsi të qartë dhe me qytete të tjerë të vendit tonë dhe me ndërtimet e kësaj natyre të ndërtuara në qytetin e Korçës, nga mesi i shek. XIX, sipas studiuesit P.Thomo. Por, selamllëqet e qytetit të ri të Shkodrës, meqenëse kanë përësinë kohore të ndërtimit të tyre, rreth gjysmë shekulli më parë, mund të konsiderohen paraprirës të simotrave të tyre “mysafirhanëve” të Korçës apo dhe të shtëpive të pritjes të qyteteve të tjerë të vendit tonë.

Parësia kohore e ngritjes së selamllëqeve të Shkodrës është rrjedhojë e nivelit të lartë të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të qytetit të kësaj periudhe, në përgjithësi, i cili ishte ndër më kryesorët e vendit dhe në veçanti qenia e saj qendër vilajeti, nyja e rëndësishme ndërlidhëse dhe skelë tranziti me Ballkanin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›