Montpelje perforcon kreun
Kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje nga fundi i kampionatit, kryesuesit e rritën në tri pikë avantazhin nga ndjekësit e Paris Seint Zhermen, me këta të fundit që luajnë sot në mbrëmje kundër Olimpik Marsejës.
Nëse fiton, PSG-ja e drejtuar nga Karlo Ançeloti do të barazohej me pikë me Montpeljenë, por përveç golavarazhit më të mirë, këta të fundit kanë edhe një ndeshje për të zhvilluar. Të gjithë këta elementë janë shpresëdhënës se ekipi i drejtuar nga Rene Zhirard mund të fitojë titullin e parë në histori.
Fitorja e Montpeljesë u duk e lehtë, edhe për faktin se rezultati u zhbllokua në minutën e katërt të lojës, kur Belhanda dërgoi në rrjetë një pritje të portierit Kros pas tentativës së Zhirud. Sosho arriti të barazonte shifrat me Maiga, ndërsa portieri i skuadrës që rrezikon seriozisht rënien nga kategoria realizoi disa pritje, duke mbajtur skuadrën e tij në lojë. Megjithatë, ai u dorëzua në të 55-tën, pas gjuajtjes së Kamara.
Fitore mjaft të rëndësishme në luftën për biletën e fundit drejt Champions League regjistroi edhe Lioni, që mposhti 2-1 Okserin. Të dy golat janë shënuar nga kapiteni Lisandro Lopez nga 11-metrat, ndërsa për miqtë nuk shërbeu barazimi i përkohëshëm nga Traore. Me këtë triumf, Lioni ngjitet në kuotën e 53 pikëve, 3 më pak se Lila e vendit të tretë.