E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i Kombetares Xhani De Biazi analizinon punen e deritanishme

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi ka folur për mediat italiane rreth aventurës në krye të stolit kuqezi. Tekniku ka analizuar punën me bashkëpunëtorët për të gjetur futbollistë cilësorë për skuadrën, ndërsa synon realizimin e një tjetër magjie, pas asaj që ka bërë me Modenan në fillimin e viteve 2000.

“Jemi ende në fazën e ndërtimit të skuadrës dhe po përpiqemi të vëzhgojmë pjesën më të madhe të futbollistëve shqiptarë që militojnë në kampionatet e ndryshme europiane. Për këtë arsye, unë dhe bashkëpunëtorët e mi po udhëtojmë shumë”, nënvijëzoi tekniku.

Më tej ai shtoi: “Aventura në krye të Kombëtares shqiptare është shumë e rëndësishme për mua dhe shpresoj të realizoj një tjetër punë kolosale si ajo me Modenën, që e mora në Serinë C dhe e ngjita deri në Serinë A”.

Më tej, De Biazi ka folur edhe për kualifikueset e Botërorit “Brazil 2014”, duke theksuar se Shqipëria nuk është favorite, por do të luftojë deri në fund për të bërë një paraqitje sa më të mirë.

 
"Diferencat në futboll janë minimale, edhe pse në fund fiton skuadra që ka më shumë kualitet. Gjithsesi, në kualifikueset e Kupës së Botës Brazil 2014, Shqipëria ime nuk niset si favorite”, tha trajneri kuqezi. “Por, me siguri që nuk do të dorëzohemi në asnjë moment dhe do të luftojmë deri në fund për t’u kualifikuar”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›