E Diel, 1 Nëntor 2026

Monumentet me qira! Arkeologu Ceka: Më të rrezikuara po ti lëmë djerrë

Pak përpara se të miratohet dhe të bëhet publike lista e rreth 40 monumenteve të kulturës të cilat do të jepen me qira për investitorët privatë, debati nuk mund të mungojë. Studiuesit, njohës të mirë të realitetit të monumenteve të trashëgimisë kulturore në vend, jo rrallë ndajnë mendime të kundërta.

Arkeologu Neritan Ceka, në cilësinë e këshilltarit të kryeministrit të vendit tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për një listë të rivitalizimit të monumenteve të kulturës, por për një projekt me të gjerë i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht. Studiuesi Ceka zgjedh ta cilësojë atë si tepër pozitiv duke ju referuar edhe shembujve të cilët ai ndonëse me pak rezerva thotë se janë të suksesshëm pasi pavarësisht disa ndërhyrjeve të pakontrolluara mirë, megjithatë kalatë e Petrëlës dhe Lëkurzit janë destinacione dhe të mirëmbajtura, dhe kjo vetëm sepse aty është prezenca njerëzore. Prezencë e cila në këtë rast është një biznes që shfrytëzon pasurinë kulturore.

Pikëpyetja e madhe është: A ka garanci që këtë herë mekanizmi i kontrollit do të funksionojë dhe si do të kryhen investimet në këto monumente?! Por pavarësisht pikëpyetjeve dhe ndasive të specialistëve, siç është Lorenc Bejko i cili në një intervistë të tij deklaroi se nëse nuk ka një plan menaxhimi të mirëfilltë, rrezikohet trashëgimia, lista tanimë është gati.

E përpiluar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, e që pret miratimin pas një diskutimi në Ministrinë e Kulturës, lista me rreth 40 monumente, pjesë e trashëgimisë kulturore do të jetë në dispozicion të projekteve të investitorëve pritatë për ti shfrytëzuar ato. Parashikohet që monumentet të jepen me qira, disa prej tyre deri në rreth 100 vjet për tu shndërrur në vende ku do të bëhet biznes, ndërsa nga ana tjetër, subjektet që do ti shfrytëzojnë ato do të kenë detyrim mirëmbajtjen e objektit dhe investime në restaurimin e tyre. Ndërsa investimet parashihet të kontrollohen nga specialistët e monumenteve të kulturës.

Profesor Ceka, përtej një projekti specifik për rivitalizimin e monumenteve të kulturës duke i dhënë me qira, ju theksoni se ky është një projekt më shumë se sa një listë monumentesh. Ç’është ky projekt më i madh?

Kjo bën pjesë në strategjinë e kryeministrit Berisha në fillim të mandatit të tij për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyrisht një vend të veçantë në këtë strtegji e zë trashëgimia ku kulturore, duke filluar nga monumentet arkeologjike e deri te ato të arkitekturës.

Ky synon që jo vetëm shteti të bëjë menaxhimin e kësaj pasurie kulturore por të angazhohen edhe kompani apo persona të cilët kanë ide dhe mundësi për të zgjeruar këtë aktivitet. Dhe ne jemi dëshmitarë që janë paraqitur që tani disa projekte në këtë drjetim, një nga ato që u miratua së fundi është rivitalizimi i Kalasë së Lezhës. Ky qe dhe është një projekt që parashikon që pjesa, godinat e xhandërmarisë turke, që kanë qenë në majë të kalasë dhe që janë rrënoja por që ishin ende në këmbë në nisje të shekullit XX, të rindërtohen në formën e tyre të parë për tu përdorur si muze por edhe shërbim bari e restoranti, por jo me shumë hapësirë, pra jo me shumë zgjerim që të dëmtojë monumentin.

Dhe njëkohësisht,  kompania që merr përsipër për ta bërë këtë do të merret edhe me mirëmbjatjen e monumentit, do bëjë restaurime të mureve që kanë pësuar dëmtime dhe trajtimin e sipërfaqes së monumentit brenda murit të kalasë. Logjikë e cila do të funksionojë edhe me monumente e kësaj liste për të cilën ju jeni të interesuar. Natyrisht e gjithë kjo është brenda parkut dhe kontrollohet apo vëzhgohet në realizimin e tij dhe sidomos në atë të mirëmbajtjes së monumentit.

Kështu do të veprohet edhe për të gjitha monumentet e tjera që do të jenë në këtë listë dhe që do ti nënshtrohen të njëjtave procedura  kontrolli. Po ashtu një tjetër projekt i cili u zbatua në fund të vitit të shkuar, kishte të bënte me kalimin e pasurive kulturore në dispozicion të komuave. E kam fjalën këtu për qytetin antik në Malin e Vilës, pranë Kalasë së Petrelës që gjendet në territorin e komunës. U dha një fond që kjo qendër shumë e rëndësishme ilire, me mure shumë të bukura antike dhe monumente të rëndësishme, të cilën pakkush e ka parë deri sot, të ketë një akses për shkak të rrugës që ka shkuar aty dhe rivitalizmit të saj si qendër në bashkëpunim edhe komunën. Duke bërë të mundur edhe pastrimin e mureve dhe restaurimin e një monumenti dhe tani këto monumente mund të vizitohen. Por tani kjo i jep mundësi komunës që të përdorë pasuritë kulturore që deri tani nuk mund të përdoreshin.

Profesor, ju përmendët anët pozitive të kësaj nisme, po risqe ka, a rrezikohen monumentet?

Po kjo është një nismë që është provuar më heret. Kemi rastet e kalave të Petrelës dhe Lëkurzit që i janë dhënë privatëve në përdorim. Natyrisht këtu nuk kanë qenë shumë të kontrolluar puna që është bërë për krijimin e ambjenteve të reja që janë bërë në kurriz të monumenteve por megjithkëtë nuk zhbën punën e mirë të bërë në këto monumente. Kjo përvojë do të përdoret për të vijuar më tej edhe në këtë drejtim sepse nga ana tjetër, në të dyja këto kala, nga ana tjetër kemi ruajtje të përsosur të kalasë, që në kala të tjera nuk ka ndodhur na kalë të tjera ku nuk ka pasur prezencë njerëzore vazhduar rrënimi.

Në këtë mënyrë, hapim një rrugë, qoftë për përdorimin e tyre për qëllimet publike, qoftë për mirëmbajtjen e tyre. Unë jam optimist në këtë drejtim. Përvoja e gjatë me monumentet më ka provuar se atje ku kemi qenë prezent me monumentet, ku kemi dhënë akses publik me prezencë të vazhdueshme njerëzore, ka evituar shkatërrimin e tyre.

Natyrisht që nuk ka gjë pa risqe, por ne sot jemi në gjendje  kritike në lidhje me monumentet. Shqetësimi më i madh nuk është se çmund të ndodhë aje ku ne ndërhyjmë dhe do jemi prezent, por atje ku nuk jemi. Dhe ne kemi disa dhjetra monumente, qinda metra katrorë afreske janë zhdukur për shkak të mungesës së prezencës, pasi kemi hequr edhe ato pak roje që kemi pasur. Janë gati 20 % e monumenteve në këto 20 vitet e fundit të cilat kanë pësuar dëmtime të pariparueshme.

Po sa siguri ka që mekanizmat e kontrollit do të funksionojë për të mbajtur nën kontroll investitorët këtë herë?

Sistemi i kontrollit ekziston. Nëse je japim Lezhën, i kemi 4 punëtorë qe ndjekin të gjitha punimet dhe nëpërmjet Institutit të Monumenteve që gjithashtu që ka strukturat e veta të kontrollit, do të punohet që të mos ketë dëmtime të monumenteve dhe zbatim sicc duhet të projektit. Vëzhgimi është i mundshëm! Ajo që është e pakontrollueshme, është kur ne i lëmë ata shkretë, kur i lëmë pa përdorur, dhe përvoja e këtyre viteve të fundit na ka treguar që kjo ka qenë një katastrofë kulturore.

Intervistoi: Anisa Ymeri

Shkrime të tjera me interes:

  1. Monumentet e kulturës rrezikojnë të shndërrohen në mejhane Studiuesi Lorenc Bejko: Rrezikohet trashëgimia kulturore e vendit E paralajmëruar...
  2. Lodrat e Krishtlindjeve mund të merren me qira Nga kukullat te makinat Tendenca është shumë e përhapur në...
  3. “Fol Shqip”, AK: Të lëmë mënjanë gjuhët e huaja Tiranë- ”Të lëmë mënjanë gjuhët e huaja, të cilat janë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›