E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumenti i 100 vjetorit të Pavarësisë

Monumenti i përgatitur nga shqiptari nga Kosova, Visar Obrija dhe gjermani Kai Roman Kiklas është përzgjedhur sot nga Komiteti Shtetëror i Festimeve si monumenti që do të ngrihet në kryeqytet për këtë 100-vjetor të shtetit.  

Frymëzimi i artistëve ka ardhur nga banesat tradicionale shqiptare si simbol i qëndresës në shekuj. Idenë e tyre e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi ku njëra gjysmë mbas çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Në faqet e brendshme të saj do të gdhendet shqiponja dhe Deklarata e Pavarësisë.  

Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi informoi Komitetin për 5 projektet e përzgjedhura mes 73 veprave të paraqitura në konkurs ku pas vlerësimit të jurisë dhe votave të publikut në vend të para u rendit boceti i bashkautorëve Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas nga Kosova dhe Gjermania.

 "Ka estetikë bashkëkohore, bashkëpunon me qytetarët, kërkon qytetarin ta përshkoje e kjo është shumë e rëndësishme. Ndërsa ideja e hapjes është për një vend të izoluar që i hapet botës dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm", tha Aldo Bumçi. 

Nga ana e tij, kryeministri, Sali Berisha vlerësoi të pesë bocetët e përzgjedhur, ku sipas renditjes, monumenti i parë, fituesi mori 31 pikë, i dyti 27 pikë, i treti 13 pikë, i katërti 12 pikë dhe i pestë 11 pikë.  Kryeministri Sali Berisha u shpreh se janë përzgjedhur 5 bustet më të mira. Ai i kërkoi Bashkisë së Tiranës që vendosë për vendin ku do të ngrihet ky bust.

“Bashkia e Tiranës duhet të përzgjedhë prej tyre veprën që i shton më shumë vlera kryeqytetit tonë.Bijtë e shqipes do ta duan shqiponjën diku, po le t’ja lëmë kryetarit  të Bashkisë të hapë një konkurs për të ngritur një shqiponjë, që të bëhet simbol i Tiranës. Ai që ishte para tij nuk ngriti asgjë, shpërndau një kartolinë në fund të mandatit”, u shpreh Berisha. Më tej, kryeministri tha se eshtrat e mbretit Zog duhet të kthehen në Shqipëri, teksa porositi që të ngrihen edhe Varrezat Mbretërore.

“Rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog duhet të realizohet patjetër, brenda një afati sa më të shkurtër. Kjo duhet të shoqërohet me ndërtimin e varrezave të familjes mbretërore, i ka pasur ato. Mbi këtë familje është kryer një akt makabër, është minuar varri i nënë së Ahmet Zogut për fajin e vetëm që i dha Shqipërisë një burrë që bëri gjithcka për të ndërtuar një shtet”, tha Berisha. /Start/

                                                                                             2012-04-24 11:51
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›