Morati thirrje Murinjos: Champions? Nuk dua alibi
Edhe kur duket se gjithçka është në rregull, tek Interi shpërthejnë polemikat brenda skuadrës. Pas deklaratave të Murinjos, gjatë konferencës së parë për shtyp në këtë sezon, se zikaltërit kanë një hendek me katër skuadrat më të mëdha europiane, vjen reagimi i Masimo Moratit. "A e kam mendjen te Champions? Natyrisht, mendoj se e kemi potencialin ta fitojmë këtë trofe dhe për këtë arsye nuk dua asnjë alibi", ishin fjalët e presidentit të klubit. "Murinjo provokon tifozët dhe gazetarët. Ai krijon situata, të cilat e shtyjnë të pretendojë gjithmonë më lartë si atë, ashtu edhe skuadrën që drejton", vazhdoi më tej analiza e njëshit të kampionëve të Italisë. "Nuk mendoj se kemi shumë diferenca nga ‘big‘-ët e tjerë në kontinent. Kam besim te eksperienca e trajnerit, i cili e di mirë se çfarë lojtarësh i nevojiten skuadrës. Në këtë këndvështrim, Murinjo gëzon të gjithë mbështetjen time. Nuk do të kemi nevojë për mrekulli: mund të fitojmë, e rëndësishme është të mos bëjmë gabime".