E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitja e energjisë, KESH-i fiton 89.7 milionë euro

01/06/2010 Korporata ka arritur fitime rekord. Eksport 14.8 milionë euro në qershor

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të fitojë 14.8 milionë euro nga shitja energjisë elektrike gjatë muajit qershor. Ashtu siç ishte deklaruar para pak kohësh KESH-i vijoi për herë të parë eksportin e energjisë për muajin e parë të stinës së pranverës me një sasi 363.600 MWh, që arrin një vlerë financiare prej 14.8 milionë eurosh. Sipas njoftimit të djeshëm të Korporatës, mësohet se janë shpallur edhe tetë kompanitë fituese të këtij tenderi, ndërkohë që duket se fitimi i kësaj kompanie për 6-mujorin e parë të këtij viti ka tejkaluar çdo parashikim, duke arritur vlerën 89.7 milionë eurove. Për këtë vit është parashikuar të prodhohet energji në shifra rekord, në një masë prej 6.2 miliardë Kwh, duke përfshirë këtu edhe shkëmbimet me Kosovën, çka do të thotë të ardhura të shumta në arkat e kompanisë. Por kjo nuk është shifra përfundimtare për sa i takon këtij viti, pasi një sasi e konsiderueshme e energjisë do të eksportohet edhe gjatë muajve të vjeshtës. Sipas drejtuesve të Korporatës, të ardhurat që po sigurohen nga eksporti i energjisë po përdoren për të shlyer borxhet. Aktualisht, KESH-i ka paguar 6 miliardë lekë borxhe dhe deri në fund të vitit është planifikuar që të paguhen deri në 10 miliardë lekë. Bëhet fjalë për gjysmën e borxheve që ka KESH-i i qeverisë, për import energjie gjatë vitit 2007 dhe 2008. Energjia e tregtuar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për muajt janar-maj ka qenë në nivele maksimale. Ndërkohë që mësohet se në muajin maj energjia është shitur me një çmim prej 45 euro për 1000 kilovat/orë, çmim ky që i referohet bursës greke. Tashmë hidrocentralet e kaskadës së Drinit kanë arritur në kuotat e veta më të larta të prodhimit të energjisë elektrike ndër vite. Duke parë situatën aktuale hidrocentralet po prodhojnë maksimalisht energji, duke vënë në punë të gjitha turbinat. Sipas të dhënave më të fundit, mësohet se prodhimi ditor i energjisë elektrike ka arritur në rreth 28 milionë kilovat orë, ndërsa ai i eksportit, arrin në 17 milion kilovat. Aktualisht, po eksportohet mbi 50 milionë kwh energji dhe shkëmbehen 2 milionë kilovat orë energji. Brenda vitit 2010 KESH-i ka hapur tre herë portat shkarkuese të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Rasti i parë erdhi në janar, periudhë gjatë së cilës shkarkimet zgjatën rreth dy javë dhe një pjesë e mirë e zonës së Shkodrës e Nënshkodrës u përmbytën. Një muaj më vonë, në shkurt, për shkak të shirave dhe shkarkimeve që bënte Maqedonia nga Ohri, u rihapën portat e hidrocentraleve, por këtë herë përmbytja ishte në nivele më minimale se e para. Ndërkohë që hera e tretë ishte në muajin prill, por ishte pa asnjë dëm për zonën rreth hidrocentraleve.

19 milionë euro

Ishte sasia e parave të fituara nga Korporata Elektoenergjetike nga shitja e energjisë gjatë muajit mars. Kjo periudhë ka pasur prurje të larta, e cila ka lejuar KESH-in të shesë sasi të mëdha, pasi edhe nevojat e tregut për këtë produkt kanë qenë të larta.

17 milionë euro

Ishte sasia e parave të fituara nga Korporata Elektoenergjetike nga shitja e energjisë gjatë muajit prill. Duke filluar nga muaji janar i këtij viti, e deri në prill KESH-i ka shitur rreth 900 milionë kilovat/orë duke arkëtuar 40 milionë euro të ardhura për katër muaj.

17.9 milionë euro

Ishte sasia e parave të fituara nga Korporata Elektoenergjetike nga shitja e energjisë gjatë muajit maj. Këto para janë përfituar nga eksportimi i rreth 14.5 milionë kilovat/orë energji elektrike në ditë. Ndërkohë e njëjta situatë po vazhdon edhe në qershor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›