E Diel, 1 Nëntor 2026

Morientes së shpejti me Liverpulin

09/01/2005  

Duket pothuajse çështje ditësh, transferimi i Fernando Morientes, nga Real Madridi te Liverpuli. Vetë menaxheri i futbollistit ka thënë për të përditshmen angleze “The Sun”: “Jemi shumë pranë marrëveshjes me Liverpulin. Mbetet vetëm për t`u gjetur gjuha e përbashkët ekonomike, midis Realit dhe klubit të Anfield Road. Tratativa është me të vërtetë në një pikë shumë deçizive”.

Edhe Morientes e ka pranuar se, Liverpuli mund të jetë skuadra e tij e ardhshme: “Do të më pëlqente shumë të luaja me Liverpulin. Jam krenar mbi të gjitha, që drejtuesit anglezë janë interesuar për mua. Mendoj se kjo çështje do të zgjidhet brenda dy ose tre ditësh me Realin”. Sulmuesi është i bindur dhe nuk shpreson më, se mund të gjejë hapësirë në formacionin e Vanderlei Luksenburgos: “Kanë kaluar shumë muaj, duke qëndruar në pankinë dhe minutat e mia në formacion kanë qenë të numëruara. Për mua në këtë periudhë të karrierës, është shumë më e rëndësishme të luaj futboll”.

Një peng në karrierën e Morientes: “Sinqerisht jam penduar për largimin nga Monako. Kalova momente të mrekullueshme, të cilat u finalizuan me arrijtjen në finalen e Ligës së Kampioneve. Mund të kisha qëndruar edhe për një sezon në principatë”.

Një koment për futbollin anglez: “Më pëlqen shumë. Aty pothuajse çdo gjë është fantastike. Të gjithë vrapojnë gjatë gjithë 90 minutëshit. Praktikohet një futboll teknik dhe shumë i shpejtë”. Që Rafa Benitez është një nga admiruesit më të mëdhenj të Morientes, kjo nuk ka dyshim. Trajneri e ka konfirmuar disa herë dëshirën për të pasur në skuadër, sulmuesin e Kombëtares spanjolle: “Është shumë i talentuar dhe për ne do të ishte një blerje e madhe. Ne do të bëjmë ofertën tonë, por nuk mund të ofrojmë shifrat që kërkon Real Madrid”. Për “Të kuqtë”, një blerje e re, do të ishte dhurata më e bukur për sezonin e mirë që ka zhvilluar skuadra deri tani: Vendi i pestë në Premier Ligë dhe kualifikimi për në 1/8-at e Ligës së Kampioneve.

Duket se, Liverpuli ka bindur Real Madrid. Për Fernando Morientes, do të ofrojë 10 milion euro, në një tratativë që përfshin edhe portierin Çezar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›