E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni ne krye te Bundesliges gjermane

Bajerni vazhdon të mbajë kreun e tabelës së klasifikimit në Bundesligën gjermane, pas fitores 2-0 ndaj Volfsburgut në Mynih. Bavarezët kanë pikë të barabarta me Dortmundin që gjithashtu fitoi në shtëpi, 3-1 ndaj Hofenhajmit.
Bajern e pati të vështirë në pjesën e parë duke mos shënuar asnjë gol, por Mario Gomez arriti të realizonte kur kishte kaluar çerek ore lojë. Ndeshja mbeti e hapur deri në fund, ndërsa në minutën e 90-të holandezi Roben i dha sigurinë vendasve me golin e dytë.
Në Dortmund, skuadra e trajnerit Klop nuk pati thuajse asnjë vështirësi dhe japonezi Kagaua ishte më i miri në fushë duke shënuar dy gola.
Në ndeshjet e tjera pati rezultate interesante. Leverkusen shmangu humbjen në Bremen, duke barazuar 1-1. Herta e Berlinit humbi sërish, këtë herë 2-1 në shtëpi ndaj Hamburgut, ndërsa më shumë gola pati në Augsburg ku vendasit barazuan 2-2 me Kaizerslauternin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›