E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pergatiten sprintieret

Disa nga atletët më të shpejtë të botës janë grumbulluar në Nju Jork. Në atë që quhet kryeqyteti i rruzullit, do të zhvillohet kampionati më i rëndësishëm i vitit në salla të mbyllura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në “Medison Skuer Garden” do të vrapojnë disa nga më të mirët, mes tyre edhe ish-rekordmeni botëror, Asafa Pauell, xhamajkani tjetër Nesta Karter dhe po ashtu një femër nga Xhamajka si Veronika Kempbëll-Braun.
Synimi kryesor janë Lojrat Olimpike të Londrës që do të zhvillohet pikërisht këtë vit, por edhe titujt në sallat e mbyllura janë të rëndësishëm. Pauell flet për rivalitetin me rekordmenin botëror, Usain Bolt.
“Kur je në pistë, përqëndrohesh vetëm tek vetja, jo tek të tjerët. Nuk e di se ç’po bën Bolt, por unë po punoj fort. Askush nuk dëshiron të humbasë dhe në pistë nuk ka miqësi. Unë uroj që gjithsecili të japë më të mirën, po ashtu edhe unë”, u shpreh Pauell.
“Ka shumë atlete të talentuara në Xhamajkë, kjo duket nga garat. Vetëm 3 prej atleteve mund të shkojnë në Olimpiadë ndaj duhet të tregohesh shumë e zonja. Besoj se do të kualifikohen ato që do të jenë më të përgatitura fizikisht dhe psikologjikisht pikërisht në ditën e duhur. Do të jetë e vështirë, por sa më e vështirë të jetë, aq më fort do të punoj”, deklaroi Kempbëll-Braun.
Garat e së shtunës pritet të jenë të shkëlqyera edhe pse bëhet fjalë për salla të mbyllura. Atletët më të mirë do ta kenë mendjen më shumë pikërisht tek Lojrat Olimpike.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›