Mos na fajësoni

Kapiteni i Chelseas, John Terry ka insistuar se futbollistët sendorë nuk janë fajtorë për shkarkimin e menaxherit Andre Villas-Boas. Pronari i gjigantit londinez, Roman Abramovich liroi nga detyra trajnerin portugez pas vetëm tetë muajve të tij në post.
Problemet prapa skenave besohej të kishin ndikuar në shkarkimin e Villas-Boasit, ndërsa spekulohej se 34-vjeçari nuk kishte arritur të krijojë raporte të mira me futbollistët më me përvojë të Chelseas dhe se kjo e kishte lënë atë të izoluar nga skuadra.
Por, Terry insiston se nuk ekziston fuqia e supozuar e futbollistëve në Stamford Bridge dhe thotë se largimi i Villas-Boasit erdhi si pasojë e rezultateve dëshpëruese.
“Në të gjitha klubet, kur futbollistët nuk luajnë mirë, ka gjithmonë keqkuptime dhe njerëzit shqetësohen. Mendoj se për shkak se bëhet fjalë për Chelsean, njerëzit e kanë këtë mendim se futbollistët kryesorë kanë ndikim të madh, por ju siguroj se nuk është kështu dhe nuk ka qenë asnjëherë prej kur unë jam pjesë e këtij ekipi”, tha Terry për Sky Sports.
“Të gjithë futbollistët kujdesen për klubin, pronari po ashtu. Andre ka qenë shumë i mirë, por fatkeqësisht nuk i mori rezultatet e nevojshme”, shtoi ylli anglez. Por, Terry nuk e fajëson vetëm Villas-Boasin për rezultatet e dobëta të Chelseas.
“Kolektivisht, nuk ka qenë fajtor vetëm ai. Edhe pse fatkeqësisht e tëra bie mbi të, mendoj se futbollistët dhe menaxheri bëjnë gabime së bashku. Ne të gjithë i urojmë atij sukses, pasi ka të ardhme shumë të mirë. Ai është ende shumë i ri. Kjo mund të shërbejë si përvojë për të mësuar prej saj për të dhe për ne. Unë kam kaluar shumë mirë me të”, përfundoi Terry.
Kurse, edhe sulmuesi Didier Drogba pranon se nëse ai dhe bashkëlojtarët e tij do të kishin bërë më tepër në fushë, Villas-Boas mund të ketë mbetur në detyrë. “Këto gjëra ndodhin dhe pa marrë parasysh atë që ngjau, mendoj se ai meriton lëvdata. Andre ishte i pafat, ekipi nuk ishte në formë të mirë. Mendoj se ne, si futbollistë, mund të kishim bërë më tepër për të ndryshuar këtë, dhe të përkujdesemi që mos të ndodhë kjo. Por, jeta është e tillë. Ne e përkrahim atë. Ai është një mik dhe gjithmonë do të mbetet i tillë”, deklaroi Drogba.
Në dy ndeshjet pas shkarkimit të Villas-Boasit, Chelsea, që aktualisht drejtohet nga asistenti Roberto Di Matteo, mposhti Birminghamin në FA Cup me rezultat 2-0 si dhe triumfoi të shtunën ndaj Stoke Cityt, 1-0.