E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Italia nënshkruajnë Deklarata e Përbashkët mbi “Ekspo Milano, 2015”.

Kryeministri Berisha pret kryetaren e bashkisë së Milanos, zonjën Letizia Moratti


Kryeministri Berisha priti sot kryetaren e bashkisë së Milanos, njëkohësisht koordinatore e qeverisë italiane për ekspozitën “Ekspo Milano, 2015”, zonjën Letizia Moratti.


Pas takimit, në prani të Kryeministrit Berisha, u nënshkrua Deklarata e Përbashkët midis Shqipërisë dhe Italisë mbi “Ekspo Milano, 2015”, nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti dhe nga kryetarja e bashkisë së Milanos, zonja Moratti. Kjo deklaratë u nënshkrua nga Shqipëria dhe Italia, si dy vende anëtare të kryesisë ndërkombëtare të ekspozitave, në kuadër të këtij evenimenti të rëndësishëm. Argumenti i propozuar për “Ekspo Milano, 2015” është “Të ushqesh planetin, energji për jetën”.


Nënshkrimi i deklaratë së përbashkët u pasua nga deklarimet për median e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit, të Kryeministrit Berisha dhe zonjës Moratti.


Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam një takim shumë të rëndësishëm, me zonjën Letizia Moratti, kryetare e bashkësi së Milanos, por, njëkohësisht, edhe drejtuese kryesore e një prej ngjarjeve më të mëdha të biznesit botëror, në dekadën e dytë të shekullit të 21-të, që është ekspozita botërore e vitit 2015, në të cilën Milano bëhet kryeqyteti i botës. Zonja Moratti më njohu me konceptet dh parimet e ndërtimit të kësaj ekspozite, do të thosha të shkëlqyera, sipas të cilave, kjo ekspozitë nuk projektohet thjesht si një muze i arritjeve më të mëdha të teknologjisë dhe biznesit botëror, por si një proces pothuaj universal, në të cilin kombet e planetit gjejnë mundësinë për të promovuar të gjitha potencialet e tyre në këto fusha jetike, primarisht të energjisë dhe të ushqimit, natyrisht, edhe në fusha të tjera. Në këto koncepte dhe parime, kjo ngjarje e madhe botërore shndërrohet gjithashtu, në një promotor të fuqishëm, nga e cila Shqipëria do të përfitojë. Unë njoha zonjën Moratti me faktin se të dyja këto janë prioritet më të mëdha të qeverisë sime. Shqipëria ka potenciale të mëdha të energjisë së rinovueshme. Milano është qyteti që prodhon 10 përqind të GDP-së së Italisë, me rreth 300 mijë sipërmarrje që prodhojnë nga satelitët më të sofistikuar, tek stilolapsat. Ndaj, potenciali i bashkëpunimit të Shqipërisë me Milanon është i jashtëzakonshëm. Kryetarja e bashkisë së Milanos dhe koordinatore e qeverisë italiane për ekspozitën e Milanos, 2015, u angazhua të krijojë një eveniment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, për të ekspozuar të gjitha mundësitë dhe potencialet e saj para investitorëve të Milanos. Unë e pranova ftesën me shumë mirënjohje, sikundër ramë dakord të bashkëpunojmë në fusha të tjera. Ne diskutuam sot edhe për problemet e trafikut dhe të transportit të kryeqytetit të vendit. Problemet dhe mangësitë serioze në këtë sektor mundojnë dhe lëndojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit do të bashkëpunojë me një prej kompanive kryesore në fushën e transportit të Milanos, të studiojmë se cila është mënyra më e mira dhe ndërhyrja më eficente, për të lehtësuar qytetarët e kryeqytetit në lëvizjen e tyre të përditshme. Do të konkludoj duke theksuar edhe një herë se vizita e zonjës Moratti është një kontribut i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe dy qeverive tona dhe shfrytëzova rastin t’i përcjell mikut të shquar të shqiptarëve dhe mikut tim Silvio Berluskoni urimet më të përzemërta dhe dëshirën për ta pritur në Shqipëri, në kohën më të parë të mundshme për të.


Zonja Moratti: Faleminderit. Unë i shpreha kryeministrit Berisha ndjenjat e miqësisë së madhe dhe përmes kësaj lidhjeje të fortë midis Shqipërisë dhe Italisë, edhe vullnetin për të forcuar më tej këto marrëdhënie përmes dy projekteve “Ekspo Milano, 2015” dhe forcimit të bashkëpunimit me qytetin e Milanos. Ekspozita botërore e Milanos, pas asaj që po zhvillohet tani në Shangai, do të realizohet në 2015-n dhe që do të zgjasë 6 muaj, parashikon pjesëmarrjen e rreth 150 vendeve, si dhe mbi 20 milion vizitorë. Ekspozita universale në Milano nuk do të jetë vetëm një event që realizohet në atë periudhë, por, siç e nënvizoi edhe Kryeministri Berisha, do të jetë një projekt që na lidh me Shqipërinë, si edhe me shumë vende të tjera, për të zhvilluar sëbashku projekte të bashkëpunimit shkencor, ekonomik, në sektorë që lidhen me temën e saj, ushqimi dhe energjia. Ndaj, jam veçanërisht e nderuar të firmosja këtë Deklaratë të Përbashkët me Shqipërinë, pasi kjo Deklaratë na lejon të fillojmë bashkëpunimin në sektorin e agroindustrisë, të energjisë, të cilët, sigurisht, janë sektorë, ku Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme dhe të punojmë për të studiuar se cilat janë mundësitë e bashkëpunimit shkencor, ekonomik, që i sjellin përfitime si Shqipërisë dhe Italisë. Dhe, për këtë arsye, jam e nderuar që ftova Kryeministrin Berisha në Milano dhe që ai e pranoi ftesën, për të paraqitur mundësitë për investime dhe potencialet e bashkëpunimit ekonomik midis sipërmarrjeve milanezë dhe atyre shqiptare, për t’i identifikuar sëbashku ato dhe jo vetëm në sektorët e sipërpërmendur në kuadër të ekspozitës por, natyrisht, edhe në sektorë të tjerë si turizmi, e parë kjo edhe me forma të ndryshme të turizmit që lidhen me agroindustrinë apo me zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të studiuar sëbashku se cilat mund të jenë format e bashkëpunimit, si ato që Kryeministri përmendi lidhur me sipërmarrjet që mund të investojnë në Shqipëri, për të sjellë përfitime të ndërsjella për sipërmarrjet italiane dhe ato shqiptare. Në këtë kuadër, mund të eksplorohen mundësi edhe në sektorin e agroindustrisë, këtu sjell në vëmendje se Milano është rajoni i dytë agroushqimor i Italisë dhe Lombardia është rajoni i parë i Europës për prodhimin bujqësor, si dhe në bashkëpunimin e mëtejshëm në fusha që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve, si një kusht për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm botëror, duke ditur se tashmë më shumë se gjysma e popullsisë jeton në qytete. Ndaj edhe tema e transportit, që në pamje të parë mund të duket pak e lidhur me temat e ekspozitës, përfshihet në këtë vizion të ekspozitës, i cili ka për qëllim të kontribuojë përmes projekteve konkrete në zhvillimin e qëndrueshëm të planetit. Ndaj jam veçanërisht e lumtur që Kryeministri Berisha e pranoi këtë ftesë dhe që ka planifikuar që tani takime të mëtejshme, për të zhvilluar këtë bashkëpunim, për të cilën folëm sot. E falënderoj shumë dhe e pres në Milano në hapjen e ekspozitës.


Pyetje: Zoti Kryeministër si e shihni përfaqësimin e Shqipërisë pas 5 vjetësh, sidomos në fushën e energjinë në këtë ekspozitë dhe a mendoni se ekspozohet dhe do flitet edhe për investimet në fushën e energjisë bërthamorë?


Kryeministri Berisha: Unë mendoje së bashku me zonjën Moratti, në vitin 2015 do të takohemi në ekspozitën e Milanos me shumë nga idetë dhe projektet tona të realizuara. Shqipëria do të jetë një nga vendet me rritjen më të shpejtë të prodhimit të energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë. Shqipëria do të ketë kompletuar të gjithë kuadrin e saj ligjor për shfrytëzimin e energjisë nukleare për qëllime paqësore dhe do të shqyrtojë të gjitha opsionet për fillimin e këtij shfrytëzimi.


Pyetje: Zonja Moratti, ju folët me Kryeministrin për çështje të transportit, të trafikut në Tiranë dhe do të keni një mundësi të flisni me kryetarin e Bashkisë për këtë çështje. A e shikoni problem faktin që kryetari i Bashkisë, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste po e bllokon trafikun e Tiranës dhe a do të ndodhte një gjë e tillë në Milano? A mund ta shikoni këtë si një problem, të cilin mund ta ngrini gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë së Tiranës?


Zonja Moratti: Unë i ofrova Kryeministrit Berisha bashkëpunim për sa i përket studimit të fizibilitetit që lidhet me çështje të trafikut dhe të qëndrueshmërisë së trafikut në qytet, duke qenë se Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe që mund ta shfrytëzojë sa më mirë atë. Dhe, besoj, se do të jetë qeveria dhe autoritetet vendore që do të vendosin si ta shfrytëzojnë këtë studim, që ne ia kemi ofruar falas qeverisë shqiptare.


Kryeministri Berisha: Edhe një herë unë dua të falënderoj zonjën Moratti për ofertën e shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për studimin e trafikut dhe transportit në qytetin e Tiranës. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes unë do t’i bëja një kërkesë zotit Rama që të pyesë kampionin e botës në grevat e urisë, që është Marco Panela, nëse i ka bllokuar ai ndonjëherë rrugët e qytetit të tij me grevat e urisë apo jo? Ai erdhi dhe e vizitoi grevën dhe më thanë se u ka deklaruar se çdo gjë mund të bëni, por rrugën s’duhet ta bllokoni.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›