E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat administrative, përçahet PD-ja në Komisionin e Ligjeve

09/04/2009  Ligjet shtyjnë diskutimin e draftit të përpunuar me vërejtjet e palëve. PS-ja kërkon kohë

Mazhoranca në Komisionin parlamentar të Ligjeve është përçarë përballë kërkesës së opozitës për shtyrjen e diskutimit të projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”. Pas prezantimit nga ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj të një projekti të ri, ku sipas tij ishin reflektuar propozimet e ndërkombëtarëve dhe të Partisë Socialiste, anëtarët e kësaj të fundit kërkuan kohë për t’u njohur më këtë draft. “Propozoj shtyrjen e diskutimit të këtij projekti, pasi kërkojmë kohë për t’u njohur me draftin e azhurnuar. Mendoj se duhet ta trajtojmë me seriozitet këtë punë dhe jo ta përdorim për shou politik. Konsensusi i kërkuar nga ne mund të na çojë në një konkludim pozitiv”, - tha deputeti i Partisë Socialiste Besnik Dervishi. Këtë propozim e ka mbështetur edhe deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi në diskutimin e tij. “Ligji kërkon një konsensus të gjerë politik. Problemi është se socialistët kanë 6 muaj që kërkojnë ta zvarritin këtë projekt. Gjithsesi, nëse kërkojnë edhe një javë kohë, atëherë le t’ua japim këtë kohë”, - tha ai. Edhe Konfederata e Industrive të Shqipërisë, Konfindustria, ka kërkuar nga ligjvënësit miratimin e projektit me konsensus mes palëve. Por nuk ka qenë në të njëjtën mendim kryetari i komisionit, deputet i PD-së Ilir Rusmali, i cili reagoi ashpër në përgjigje të kundërshtarëve të tij politikë. “Nëse thoni se ‘ne nuk fillojmë pa shpikur të tjera pengesa’, kjo nuk shkon. Me këtë ju po i thoni mazhorancës parlamentare ‘ju jeni dele, ne dimë të manovrojmë’. Duhet të dini, zotërinj, se biznesi ka bërë peticione për kalimin sa më shpejt të këtij projekti. Duhet t’i hyjmë diskutimit të ligjit dhe gjatë neneve bëni propozimet tuaja”, - tha ai. Në respektim të Rregullores së Kuvendit, kryetari Rusmali hodhi në votim propozimin e socialistit Dervishi për shtyrje të diskutimeve, i cili së bashku me votën e LSI-së, PBDNJ-së dhe të dy deputetëve të PD-së mori një votë më shumë se propozimi i deputetes Arenca Trashani për nisjen e diskutimit. Komisioni i Ligjeve do ta diskutojë këtë projekt në mbledhjen e ditës së hënë.

Projekti i ndryshuar

KLD-ja do të detajojë me vendim kriteret që shërbejnë si përvojë.

Gjykata administrative e shkallës së parë gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë mosmarrëveshjet mbi aktet administrative që përcaktojnë sanksione administrative të vlerësueshme jo më pak se 20 milionë lekë dhe me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës.

Të drejtën e paditë dhe të legjitimimit do ta ketë edhe çdo shoqatë apo grup interesi që pretendon se është cenuar një interes i ligjshëm publik nga një akt administrativ apo normativ, kur një e drejtë e tillë u njihet me ligj.

Paditësi mund t’i kërkojë gjykatës pezullimin e zbatimit të veprimit administrative në mbrojtje të interesave të veta edhe para ngritjes së padisë. Në këtë rast gjykata cakton një afat jo më shumë se 15 ditë, brenda të cilit duhet të paraqitet padia.

Kur me kërkesë dhe argument të justifikuar të organit publik gjykata vlerëson se pezullim automatik i ekzekutimit do të shkaktonte dëm të konsiderueshëm dhe të pariparueshëm për interesin publik, ajo mund të vendosë lejimin e ekzekutimit të përkohshëm deri në përfundim të gjykimit me qëllim mbrojtjen e interesave të paditësit, gjykata mund të kushtëzojë dhënien e këtij vendimi me dhënien e garancive dhe kryerjen e veprimeve të tjera të posaçëm nga organi i paditur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›